DR. MERITA TOÇILA/ Zgjidhjet monumentale të fragmenteve nga kostumologjia të artistëve Arben Bajo e Sadik Spahija na bëjnë të reflektojmë për marrëdhënien e ngushtë trupveshje. Në to kostumi ose fragmente të tij prezantohen vetëm, por flasin përsëri për trupin. Veshja e përmban atë edhe pse mungon. Plazmimi i tekstilit në material të rëndë (gur a metal) shndërrohet në një shenjë të fuqishme identiteti nën daltën e këtyre artistëve.
Ata na rrëfejnë përmes veprimit artistik se nuk është gjithherë i rëndësishëm dhe as i nevojshëm imitimi i natyrës për të demonstruar veshjen në trup. Skulptura e tyre e fton shikuesin në një dialog mes formës dhe subjektit. Forma e ngjeshur dhe koncize, rrokur nga bota e memories individuale dhe kolektive, vjen përmes këtyre veprave si shpalosje e një faqe të historisë së trashëgimisë, një raport i kujtimeve dhe dijenive mbi traditën e hershme e të vonë për të artikuluar ndjesitë e përveçme artistike.
Te një skulpturë trajtuar në koncept tradicional si një objekt artistatik dhe i fortë, i vendosur mbi një bazë rreth së cilës rrotullohesh (në formë rrethi), pas qëmtimit që i ka bërë kostumit të Labërisë, Bajo shkëput dy elemente që sigurojnë identifikimin e tij, siç është qeleshja me thumb dhe opingat me xhufka. Përmes një loje plastike të gjetur ai metamorfon parafytyrimin vetanak për arkeotipin. Qeleshja dhe opingat, më vete por edhe të ndërlidhura, përshkruajnë një copëz të historisë së etnografisë prej së cilës udhëhiqet ai në konstruksionin e veprës. Në një kuptim të ngushtë ato përfaqësojnë dy simbole. Për më tepër qeleshja në pozicionin mbulues mbi opingat me majë merr kuptime të shumëfishta. Ajo është (transformohet) përveçse qeleshe edhe gunë, edhe trup i veshur. Polisemia e formës kalon në një nivel sipëror me figurinat-piktograme në sipërfaqen e saj. Vërejmë teknikat e përdorura si mjete në shërbim të krijimit, në të njëjtën mënyrë siç veprohet në pikturë.
Në aks mbi volumin e latuar projektohen me anë të gërvishtjes disa shenja ekspresive të bëra nga artisti me qëllim për të plotësuar narracionin e tij për elementet që mungojnë në komponentët e pamjes së përgjithshme të bariut nga Labëria: dhia dhe kërraba. Sa më shumë formësohet imazhi në sipërfaqe aq më larg e zhvendos subkoshienca artistin në histori dhe në mënyrë të beftë trupi i munguar lë shkrimin e tij mbi gur (veshje). Shenjat-simbole mbi produktin e plazmuar ruajnë gjurmë të forta nga e kaluara dhe kjo ndikon në imagjinatën tonë në reagimin për përtritjen e simboleve magjike aplikuar në artefaktet arkeologjike. Nga pikëpamja antropologjike vepra është një referencë që sugjeron pyetje rreth origjinës së objektit etnografik, mësimit të kodeve të trashëgimisë dhe në të njëjtën kohë propozon një interpretim mimetik të artistit që vëzhgon botën. Ai e elaboron më tej punën me simbolin dhe e shkëput si një vepër të mëvetshme që lipset studiuar për pasurinë e ornamentikës dhe sistemin figurativ që sendërgjon.
Sadik Spahija veçon (izolon) nga e kaluara përparësen e punëtorit, simbol i uniformës së punës në kohën e diktaturës, me qëllim jo thjesht prodhimin e një objekti, por realizimin e një ideje, emocioni apo mesazhi që transmetohet përmes veprës së artit. Instalacioni “Nën trysni” provokon ndjesitë e shikuesit drejt një realiteti tjetër përmes një grupi përparësesh metalike si metaforë e sistemit të hekurt dikur. Të ftohta, të larta, të errëta dhe me një ndriçim të metaltë janë përparëset mbetur pa trup. Në shikim të shpejtë duket veçse një përparëse pune e punëtorit (pse jo dhe e skulptorit, piktorit) e transferuar nga pëlhura në metal dhe e trajtuar si objekt arti. Struktura e saj me harkun e qafës, rripat që lidhen mbrapa në mes dhe xhepin e madh në qendër lajmton për marrëdhënien e kësaj veshjeje të jashtme me njeriun në kuptim kontekstual. Më konkretisht është e njëjta përparëse që mbante punëtori fitimtar i Spiro Kristos te “Zotër të vendit”. Kemi parë të tilla në një pjesë veprash të realizmit socialist mbi trupat konstruktivistë të punëtorëve prej të cilëve proklamoheshin arritjet ekonomike të pushtetit. Ajo që paraqet Spahija me grupin e përparëseve bosh si të lëna shkujdesur pas një aktiviteti pune (a braktisur masivisht) dëshmon mbetjen e këtij trupi (kolektivi) si një provë e ekzistencës së atij sistemi, jo vetëm në kuptimin fizik, qoftë edhe për të treguar se përfaqësimi i punës në arte ka evoluar me kalimin e kohës
Uniforma modelohet në sallën e një uzine të braktisur si një lëkurë e sipërme tëhuajtur prej trupit apo si një fshikëz e zbrazur konceptuar pa piedestal dhe vendosur direkt në dysheme; mbështetet (lëshohet) mbi tavolinë, përsëritet në rend dhe fton vizitorin të hyjë në të njëjtën hapësirë me kompleksin e veprës për t’u përfshirë emocionalisht në vendosjen e një marrëdhënieje me të kaluarën (ende e pranishme në kujtimet e atyre që jetuan në diktaturë).
Në këtë nivel përfaqësimi strukturash të tilla, prodhuar enkas që të mbulojnë pjesën e përparme të trupit dhe të mbrojnë rrobat dhe mbartësin nga spërkatjet, grisjet dhe prerjet e mundshme ose dhe për arsye higjenike, natyrshëm lind pyetja se çfarë po mbrojnë ato në situatën që propozon artisti? Ku është trupi? Ka braktisur punën duke lënë të zbrazur përparësen?! Apo mungon sepse në kuptimin metaforik trupi është dëmtuar e plaga rrjedh ende gjak (instalacioni shoqërohej gjithashtu me disa copa mishi të prera mbi tavolinë)!? Në këtë mënyrë dekonstruksioni ndarja trup-veshje përzgjidhet nga artisti si një strategji për t’i bërë operacion së kaluarës në funksion të njohjes dhe zbërthimit të krizës politiko-sociale të fundit të shekullit XX.
Objekti polisemik, i shumëfishuar dhe i zmadhuar jo rastësisht në material të ftohtë e të rëndë prej metali që aludon trupa të mëdhenj të cilëve u përkasin këto përparëse, imponohet në hapësirën interaktive. “Laboratori i braktisur krijon një situatë që kërcënon jetët njerëzore”, – shprehet autori. – Nuk i takon vetëm një kohe, por ekziston mundësia për t’u zhvendosur. Projekti i parë ka dështuar. Ne kemi dëshminë e këtij dështimi, por nuk jemi të sigurt nëse është ndalur.” Paraqitja në tri rrafshe studimi e trupit të ri (të munguar) mbetur pa përparësen e vjetër ikonike të klasës punëtore, trupit të ri (vizitorit) që mund të zhvendoset në situatën e vjetër ose trupit të ri (rikthimit) që rrezikon të rimarrë përparësen e vjetër edhe nën tensionin e disraporteve objekt-njeri, konsiderohet si një apel njerëzor dhe intelektual përtej simboleve të së shkuarës që reflektojnë ende në të tashmen.
Lini një Përgjigje