"Veli Harxhi - Firmëtari i Pavarësisë", libri që u përurua këto ditë në Bibliotekën Mysine
Kokalari në Tiranë, nga “Shoqata e Historianëve Ushtarakë”, është një vepër e rëndësishme
për një firmëtar të harruar të Pavarësisë...
Libri "Veli Harxhi - Firmëtar i Pavarësisë", është një monografi për të risjellë në vëmendje
jetën dhe kontributet e një prej 100 firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili
padrejtësisht ka mbetur në harresë, sidomos në kohën e diktaturës komuniste (klasifikuar si
çifligar dhe pronar i madh…).
Kjo vepër është një përkushtim intelektual i autorit Fitim Çaushi që synon të përkujtojë dhe
të vlerësojë rolin e Veli Harxhit, një figurë kyçe në historinë e vendit tonë.
Monografia ndjek një rrugëtim të plotë përmes jetës së Veli Harxhit, duke përfshirë detaje të jetës personale dhe profesionale të Veli Harxhit, duke ndriçuar rrënjët dhe formimin e tij si një intelektual dhe patriot.
Në libër përshkruhet kontributi i tij në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë dhe firmosjen e dokumentit të Pavarësisë më 1912.
Ismail Qemal Bej Vlora e dërgoi prej stambollit për përgatitjet pavarësisë së Shqipërisë. Në libër bëhet një analizë e thelluar e aktiviteteve të tij politike dhe intelektuale, duke përfshirë përpjekjet e tij për përmirësimin e shoqërisë shqiptare, mbi trashëgiminë e Veli Harxhit dhe ndikimin e tij në brezat pasardhës, si dhe mënyrat se si figura e tij mund të inspirojë të rinjtë sot.
Kjo monografi është e rëndësishme, sepse ndihmon në rihapjen e historisë së Shqipërisë,
duke sjellë në vëmendje një figurë të rëndësishme që ka mbetur në harresë. Ajo plotëson
boshllëqet historike dhe siguron që kontributet e Veli Harxhit të mos harrohen.
Vepra shërben si një homazh për Veli Harxhin dhe për kontributet e tij të vyera në formimin
dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Kjo është një njohje e vonuar, por e domosdoshme për
një njeri që ka luajtur një rol kyç në historinë e vendit tonë.
Kjo monografi është një burim frymëzimi për brezat e rinj, duke u treguar atyre rëndësinë e
angazhimit intelektual dhe patriotik. Ajo tregon, se si individët mund të bëjnë ndryshime të
mëdha në shoqëri përmes përkushtimit dhe veprimtarisë së tyre.
Vepra thekson vlerat kombëtare dhe rëndësinë e kujtesës historike. Ajo nxit ndjenjën e
krenarisë kombëtare dhe forcon identitetin kombëtar të shqiptarëve.
Monografia ofron një dokumentim të rëndësishëm dhe të detajuar të jetës dhe veprimtarisë
së Veli Harxhit, duke siguruar një burim të çmuar për studiuesit dhe historianët e ardhshëm.
"Veli Harxhi Firmëtar i Pavarsisë" është një vepër e çmuar që meriton vëmendjen e të gjithë
shqiptarëve. Ajo sjell në vëmendje një figurë të rëndësishme historike dhe ndihmon në
rikthimin e drejtësisë për një nga 100 firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kjo monografi e pasur atdhetare e Veli Harxhit, nuk është vetëm një përkujtim i një patrioti të madh, por edhe një thirrje për të njohur dhe vlerësuar kontributet e të gjithë atyre që kanë luajtur rol në historinë tonë kombëtare. Përmes kësaj vepre, Veli Harxhi dhe veprat e tij do të mbeten të pavdekshme në kujtesën e kombit tonë.
Fitim Çaushi – autori i librit me profesionalizmin i tij në hulumtimin dhe dokumentimin e
detajuar të historisë ka krijuar një vepër, që është e pasur me informacion dhe thellësi
intelektuale. Libri i tij nuk është thjesht një biografi, por një homazh për një patriot të madh,
që ka mbetur padrejtësisht në harresë.
Fitim Çaushi tregon aftësi të shkëlqyera në ndërtimin e narrativës dhe në prezantimin e fakteve historike, duke e bërë këtë monografi një burim të çmuar për studiuesit dhe historianët. Prof. Bardhosh Gaçe – Nxitësi i projektit: Prof.Bardhosh Gaçe ka luajtur një rol kyç në nxitjen dhe mbështetjen e projektit për krijimin e kësaj monografie.
Si një intelektual i shquar dhe historian me përvojë, ai ka ndihmuar në drejtimin dhe orientimin e kërkimit, duke siguruar që vepra të jetë e saktë dhe e plotë.
Mbështetja dhe këshillat e tij kanë qenë të domosdoshme për realizimin e këtij projekti,
duke ndihmuar autorin të kapërcejë sfidat e hulumtimit dhe të japë një kontribut të vyer për
historinë shqiptare.
Prof. Gaçe është një figurë e respektuar në komunitetin akademik dhe nxitja e tij për këtë projekt ia ngre vlerat kësaj monografie. Nesip Ibrahimi, ky intelektual dhe shtetar i shquar i para viteve 90-të, që ndërkohë është edhe bashkëshorti i mbesës së vetme të Veli Harxhit, Miriamit, dhe babai i stërnipëve të tij Etleva e Genti Ibrahimit..., pasardhësve të drejtpërdrejtë të firmëtarit të Pavarësisë, ka dhënë një mbështetje të rëndësishme për realizimin e kësaj monografie.
Përkujdesja e tij për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e familjarëve të tij dhe kontributet e Veli Harxhit tregon një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe krenarie familjare. Ai vetë, apo djali tij Genti, kanë ndjekur të njëjtën rrugë, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për të mbështetur projekte që ndriçojnë historinë dhe kulturën shqiptare. Nesip Ibrahimi ka luajtur një rol të domosdoshëm në realizimin e kësaj vepre, duke ofruar mbështetje për autorin dhe ekipin e
hulumtimit.
“Veli Harxhi - Firmëtari i Pavarsisë " është një vepër që nuk do të ishte e
mundur pa përkushtimin dhe mbështetjen e këtyre individëve të shquar. Kontributi i Fitim
Çaushit si autor, nxitja dhe udhëzimet e Prof. Bardhosh Gaçes, dhe mbështetja e palodhur e
Nesip Ibrahimit janë elemente kyçe që kanë sjellë në jetë këtë monografi të
jashtëzakonshme.
Kjo vepër është një dëshmi e përkushtimit të tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare dhe një trashëgimi që do të mbetet e pavdekshme në kujtesën e kombit tonë. Mbështetur në faktet e librit po citojmë një paragraf të tij. Veli Harxhi lindi në Gjirokastër në vitin 1850 dhe u nda nga jeta, nga një goditje në zemër më 28 gusht të vitit 1914, por ai la një trashëgimi në historinë e Shqipërisë si krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Ai u vu në shënjestër të opozitarëve të qeverisë së përkohshme të Vlorës, kryesisht nga Eqerem bej Vlora dhe Bektash Cakrani. I rënduar shpirtërisht, një ditë i thotë gruas Barie Resos: - Duhet të ikim, prandaj bëhu gati! S’na pret gjë e mirë këtu, mund të kthehet greku.
Fatkeqësisht nuk arriti të shikonte lindjen e birit të tij Shaqirin, sepse Veliu vdiq 49 vjeç, kur
e shoqja ishte në muajin e nëntë.
Si firmëtar i shpalljes së Pavarësisë në ceremoninë e përcjelljes në kodrat e Kuzum Babasë, folën edhe miqtë e tij: Jani Minga e Ibraim Abdullai. Nga fjala e Jani Mingës kemi shkëputur këto rreshta: “Në kohët më të vështira të Atdheut, në motet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në krah të Abdyl Frashërit e Mustafa Pashë Vlorës, e kohë më pas në krah të Plakut të Vlorës Ismail bej Qemalit, Veli Harxhi dëftoi se ishte një kombiar me mendje e zemër, që i derdhi të gjitha fuqitë për Mëmëdheun…”Ky vlerësim kaq i lartë për këtë figurë tregon, se jeta dhe vepra e tij ka qenë e lidhur me çështjen kombëtare qysh në rininë e patriotit Veli Harxhi në Stamboll, ku u njohë me patriotët më ndritur të kombit shqiptar.
Në shtëpinë e xhaxhait të tij në Stamboll hynte e dilte edhe Ismail Qemali, kështu studenti Veli Harxhi u lidh me shumë patriotë të tjerë si: Vëllezërit Frashëri, Hasan Tasini Jani Vreto, Shahin Kolonja, Hamdi Ohri, Azis Gjirokastra, Halit Berzheshta, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Dervish Hima dhe plot patriot të tjerë. Ishte Ismail Qemali i cli e ndihmoi Veliun që të punonte në administratën osmane, Tripoli, Janinë, si dhe në flotën luftarake detare. Nga viti 1895-1902, Veli Harxhi shërbeu në administratën turke në Adana dhe më pas nënkryetar i Beledijes së Alepit. Veli Harxhi u bë nga veprimtarët e kudondodhur të çështjes kombëtare, si një njohës shumë i hollë i politikës dhe diplomacisë dhe situatës turko-evropiane, (zotëronte gjuhët e huaja turqisht, persisht, frengjisht, italisht, greqisht etj). Ai ishte një këshilltar i vyer në ngjarjet dhe situatat politike që po kalonte kombi.
Ardhja e familjes Harxhi në Vlorë më 1909, ndodhi nga disa rrethana që ia imponuan kundërshtarët e Ismail Qemalit në kazanë e Beratit në zgjedhjet e vitit 1908, ku Veliu ishte përkrahës i tij, së bashku me Ismail Klosin, Kadri Gjatën, Nuçi Naçin, Isuf Bushin, Namik Delvina, Ahmet Dyrmishin, Baki Gjebrenë, Ali Malindin, Xhellal Koprenca.
Ai ishte anëtar i “Klubit Labëria” dhe nga Vlora vazhdoi aktivitetin patriotik në qytetin e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Në takimet e fushatës elektorale të Ismail Qemalit i cili udhëtoi në fshatrat e Vlorës, pas kishte edhe Veli Harxhin. U takuan dhe kuvenduan në Vranisht e Shalë dhe Mesaplik dhe në fshatrat e Lumit të Vlorës me atdhetarët Hamza Isai, Memo Mete Brati, Qazim Kokoshi e Elmaz Xhaferri dhe në konakët e Pasha Ramadanit dhe Veli Ademit.
Më 24 korrik të vitit 1911, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës për autonomi nga Perandoria Osmane, u organizua në Manastirin e Cepos, kuvendi i çetave patriotike të Jugut të Shqipërisë nga Çamërisë në Toskëri edhe në këtë organizim ndihet mendja dhe puna propogandistike e Veli Harxhit. Me këto çeta të Cepos në fund të vitit 1911 dhe fillim të vitit 1912-të, Veli Harxhi u përfshi në lëvizjen kombëtare të Vlorës. Letratdhe këshillat e Ismail Qemalit nga Evropa, Veliu i shpërndante me anën e Baba Hajro Progonatit në Gjirokastër, Kurvelesh, Delvinë dhe Tiranë.
Një ngjarje e veçantë në jetën e Veliut ishte edhe takimi i 12 tetorit 1912 me parinë
e Vlorës dhe djalin e Ismail Qemalit, Et’hem bej Vlora, i ciliI ishte dërguar nga Stambolli me
një letër prej të atit ku shkruhej: “me rënien e Turqisë, monarkitë e Ballkanit, do t’i sulen
copëtimit të truallit amtar”. Ishin Hamza Isai, Spiro. J. Koleka dhe Veli Harxhi, që ato ditë
tetori, përcollën nga skela me vaporin “Lloyd” për në Stamboll Et’hem bej Vlorën dhe Zini
Abaz Kaninën, ku i prisninin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina. Nuk vonoi shumë
erdhi përsëri i biri i Ismail Qemalit të cilin e priti Veli Harxhi në malin e Vlorës dhe u morën
udhëzimet të reja të Ismail Qemalit.
Ato ditë “Komisioni Vlorës”, ku bënte pjesë dhe Veli Harxhi, shpallën “mobilizimin e vetëdashësve” për mbrojtjen e Janinës dhe trojeve jugore të vendit. Për veprimtarinë e tij patriotike në nëtor të 1912, Veli Harxhi u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Ishte delegati i vetëmi Gjirokastrës në këtë Kuvend të cilin e zgjodhi populli i saj. I ftuar nga Ministri i Drejtësisë Petro Poga të cilin e njihte së bashku me mikun e tij, Isuf Abaz Hamzarain qysh në takimet me Naim Frashërin në shtëpinë e të cilit qanin hallet e kombit dhe diskutonin edhe për letërsinë e kohës, Veliu ndikoi si këshilltar i tij.
Shumë ligje, vendimarrje, iniciativa ligjore, i njihen Veliut në bërjen e “Kanunit të administratës civile në Shqipëri”. Petro Poga, Sali Hallkokondi dhe Veli Harxhi dhanë prova për organizimin e
drejtësisë, gjindarmërisë, policisë e zyrave të tjera sipas “Zyrës së Lajmeve” më 3 maj të vitit
1913, me në krye Dhimitër Beratin.
Veprimtaria e Veli Harxhit për hartimin e programeve dhe rregulloreve për administratën e vendit, si dhe organizimin e gjykatave në gjithë Shqipërinë në komisonin, ku bënin pjesë Petro Poga, Kristo Meksi, Dhimitër Berati, Sali Hallkokondi njihen edhe nga studiuesit e Historisë së institucioneve në Shqipëri, si Ismet Elezi, Aleks Luarasi, Luan Zelka, ata i vlerësojnë “si mbartës të një fryme evropiane”.
Qysh në ditët e para të krijimit të qeverisë së Përkohshme të Vlorës, disa qytete e krahina u gjendën nën dydjen e ushtrisë turke, e cila kërkonte shpëtim për t’u larguar drejt Stambollit. Ismail Qemali në këtë situatë i ngarkuan barrën Veli Harxhit dhe Hasan Sharrës, Abaz Mezinit, Ali
Dautit për të parë nga afër gjendjen dhe për të dërguar ushqime me karvanë për 5 mijë
vetë.
Po ashtu u dërgua Veli Harxhi për të negociuar me komandantin e flotës greke të cilit
iu komunikua, se trupat turke kishin ikur, në Vlorë është krijuar qeveria shqiptare me në
krye Ismail Qemalin dhe populli është i armatosur dhe do të mbrojë vendin e tij. Veliu i
parashtroi popullit të Gjirokastrës nëpërmjet delegatëve të tij, se “ngritja e flamurit ishte
urgjencë kombëtare përballë agresionit grek”.
Flamuri Kombëtar u ngrit në kullën e sahatit pranë kalasë së Gjirokastrës duke u kënduar me entuziazëm këngë patriotike nga populli i mbledhur nga të gjitha anët e krahinës, më 4 dhjetor të 1912. Në një takim me Petro Pogën, Fejzi Alizotin dhe Dom Nikoll Kaçorin dhe Vehbi Dibrën e Ali Asllanin, Veli Harxhi u shpreh hapur kundër emërimit të Esat Pashë Toptanit si ministër i punëve të brendshme. Më 20 shtator të 1913-ës, në Sheshin e Muradies u organizua një miting i madh, kundër veprimtarisë tradhtare të Esat Pashë Toptanit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Veli Harxhi, Jani Minga dhe Qazim Kokoshi e Hamza Isai u gjendën aty në mbështetje të Ibrahim Abdullait i cili mbajti fjalën e hyrëse, Mëpas e mori fjalën Mihal Grameno e Jani Minga. Në kohën e
krizës së krizës së “Muhaxhirëve” Veli Harxhi së bashku me patrioten Marigo Posio përgatitën pritjen dhe stabilizimin e tyre nëpër qytetin e Vlorës. Sipas kujtimeve të të birit të Veliut, Shaqirit të treguara nga e ëma e tij Barie, mbledhura nga e bija Mirjami theksohet se:“Shtëpia e jonë në lagjen Muradie, ka qenë shtëpi banimi e pune e Ismail Qemalit dhe shokëve të tij. Të gjitha pasuritë e babait, kur ishte gjallë i vuri në Shërbim të Shpalljes së Pavarësisë, të delegatëve dhe u përdorën si ambiente pune për komisionet e ndryshme.
Babai im, vërtet ishte i pasur, por çdo gjë e vuri në shërbim të pavarsisë së atdheut dhe qeverisë së Ismail Qemalit”. aSot njëra nga shtëpitë medhe pse është shpallur “monument kulture”, është rënuar së bashku me objektet dhe orenditë e familjes Harxhi.
Sipas një shkrimtari francez Felix Julien, në librin e tij “Papët dhe Sulltanët”, Paris 1879, në
faqen 65, kur flet për kombin shqiptar ndër të tjera shkruan: “Një gjë ka ngelur e
pandryshuar tek ky popull. Pasioni për pavarësi dhe lavdi është tipari kryesor i karakterit,
burimi i heroizmit.
Në të gjitha kohërat Shqipëria ka qenë vendi klasik i heronjve: atje Homeri gjeti Akilin, Greqia Aleksandrin dhe Papa Eugjeniu IV Skënderbeun.” Kjo përbën thelbin e vetëdijes kombëtare të Veli Harxhit dhe patriotëve që vepruan e kontribuan për çështjen kombëtare.
__________________________
Nga Kastriot KOTONI
Lini një Përgjigje