Nga Skifter Këlliçi
Në mëngjesin e datës 11 shtator të vitit 2001, ndodhesha në shtëpi në North Quincy, Boston. Befas, nga lajmet që transmetonte CNN-ja, mësova se një avion i linjës së brendshme kishte goditur njërën nga Kullat Binjake në Nju Jork. Të ishte incident? Jo, sepse pak më vonë, një avion tjetër goditi kullën e dytë. Atëherë kuptova se nuk ishte fjala për një incident, por për një akt të qëllimshëm dhe të llahtarshëm terrorist. Mësova pastaj se të dy avionët ishin rrëmbyer nga terroristë fondamentalistë dhe se këta terroristë ishin arabë.
Nuk dua të zgjatem në hollësi të tjera të ngjarjeve që pasuan, sepse ato i kam përshkruar në faqet e romanit, që falë kujdesit të zotit Nasir Aijaz u botua në 25 episode në faqet e revistës Sindh Courier, që botohet në Karachi, Pakistan, të cilën ai drejton. Por që atë ditë mua më lindi vagëllimthi ideja që të shkruaja një tregim të gjatë. Aq më shumë që aty nga mesdita e asaj dite nga emisionet e lajmeve radio-televizive mësuam se këto akte terroriste ishin kryer me dijeninë dhe miratimin e kokës së terrorizmit fondamentalist islamik, Bin Laden, i fshehur në atë periudhë diku në malësitë e Afganistanit. Por, sidoqoftë, kjo ide mbeti e mjegulluar në mendjen time. Megjithatë, gjatë ditëve të tjera lexova me shumë vëmendje gazetat e përditshme amerikane që na vinin në aeroport dhe që i kushtoheshin kësaj tragjedie të papërfytyrueshme, e cila u quajt thjesht 9/11.
U njoha kështu me historinë e talebanëve, me veprimtarinë kriminale të Bin Ladenit, doktrinën e fondamentalistëve të predikuar prej tij, me historinë e Kullave Binjake dhe me një atentat të ngjashëm që kishte ndodhur disa vjet më parë në njërën kullë. Megjithatë, nuk po arrija të gjeja fijet që do të më ndihmonin të ndërtoja ngrehinën e kompozicionit dhe personazhet që do të lëviznin në linjat e kësaj proze. Pastaj, i paaftë që të gjeja kyçin për realizimin e kësaj pune të vështirë krijuese, hoqa dorë. Për javë dhe muaj, madje edhe për disa vite, prita që të lexoja ndonjë vepër letrare rreth 9/11. Në fakt u botuan disa romane, por asnjëra prej tyre nuk përshkruante se si ndodhi kjo tragjedi, se si mundën terroristët të kalonin aq të shpenguar nëpër një nga pikat e kontrollit të Terminalit B të Aeroportit Ndërkombëtar Logan të Bostonit.
Në vitin 2005, regjisori i njohur amerikan Oliver Stone realizoi filmin e suksesshëm WTC (World Trade Center), por edhe ky film i kushtohej vetëm heroizmit të zjarrfikësve, shumë prej të cilëve, duke shpëtuar qindra e qindra njerëz nën rrënojat e Kullave Binjake dhe ndërtesave përreth, dhanë jetën e tyre.
Erdhi kështu viti 2008. Përsëri në Amerikë dhe në botë u botuan libra kushtuar 9/11, por përsëri asnjë që të tregonte çfarë ndodhi në dy avionët të cilët goditën Kullat Binjake gjatë kësaj tragjedie me përmasa të papërfytyrueshme.
Por një ditë shfletova librin Shqiptarët e Amerikës, vepër madhore e Vehbi Bajramit, gazetar dhe publicist i njohur nga Kosova dhe drejtor i gazetës shqiptare Illyria, që botohet në Nju Jork. Dhe, befas, u ndala në kapitullin Shqiptarët që mbetën në gërmadhat e 11 Shtatorit.... Kisha dëgjuar për këta shqiptarë, por nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend që ata, gjithsej tre në mes të afër 3000 viktimave në Kullat Binjake, të ishin personazhe të një vepre letrare. Ishin Frrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvulaj nga krahinat shqiptare të Malit të Zi. Nëpërmjet tyre, do të zbërtheheshin linjat e ngjarjeve që kishin ndodhur në Kullat Binjake, të cilëve do t'u shtoheshin edhe personazhe të tjera. Për të krijuar larmi, një nga ata të tre do të ishte nga Kosova, një i dytë nga shqiptarët e Malit të Zi dhe i treti arbëresh, pra shqiptar që u vendosën në Italinë e Jugut qysh në shekullin e 15-të për t'i shpëtuar pushtimit turk. Si dy të parët, punonte xhamapastrues në katet e larta të Kullave Binjake.
Vendveprim tjetër ishte dhe njëri nga avionët që rrëmbehet nga terroristët, ku personazhe kryesorë janë pesë prej tyre, dy stjuardesa, dy pilotët dhe disa pasagjerë. Siç dihet, asnjë prej tyre nuk është gjallë, sepse ky avion si dhe tjetri, që goditën Kullat Binjake, u bënë pluhur dhe hi, por kuptohet se pasi kishin rrëmbyer një ose dy nga stjuardesat, terroristët kishin vrarë pilotët, kishin rrëmbyer avionin dhe me të kishin goditur njërën kullë. Po kështu kishte ndodhur dhe në kullën e dytë.
Vendveprimi tjetër i librit do të ishte në një pikë kontrolli në Terminalin B, ku midis punonjësve thuajse të gjithë emigrantë, siç kishin qenë në të vërtetë, ishte dhe Sokol Kama ose, më saktë, isha unë, ish-gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar. Atyre u shtoheshin edhe terroristë arabë, ndër të cilët pesë prej tyre me emrat e vërtetë të atyre që rrëmbyen njërin prej avionëve dhe së fundi Bin Ladeni si dhe arkitekti i këtyre atentateve, Mulla Omari, që jetonin diku në guvat malore të Afganistanit.
Pasi studiova edhe materiale për njohjen më të thellë të historisë së talebanëve dhe terrorizmit islamik në përgjithësi nga burimet në Google, në pranverë të vitit 2008 nisa të shkruaja një roman me titull Shtatori i Gjëmës së Madhe.
Mirëpo kishte një detaj që nuk e dija. A kishte pasur në Kullat Binjake pika kontrolli? Por ato tashmë nuk ekzistonin. Atëherë shkova në një nga rrokaqiejt më të lartë të Bostonit, takova atje një nga punonjësit e Sigurisë dhe pyeta nëse veç tij në katin e parë të këtij rrokaqielli, a kishte në katet e mësipërme punonjës të tjerë sigurie? Ai m'u përgjigj se ishte i ri në këtë detyrë, kështu që unë duhej të pyesja shefin e tij dhe më zgjati një kartëvizitë, ku ishin shënuar të dhënat e zyrës së Sigurisë që mbulonte atë rrokaqiell. M'u duk e tepërt të bëja këtë takim, ndaj nisa të shkruaja kapitujt e parë të romanit.
Një paradite dëgjova të trokitura në derën e apartamentit. E hapa dhe pashë përballë meje një mesoburrë, veshur me rroba gjysmë ushtarake dhe gjysmë civile, fytyrë të zbehtë dhe shikim depërtues, që pasi më përshëndeti, më tha: "Vi nga FBI-ja. A mund të bisedojmë pak së bashku?". Natyrisht e ftova të hynte dhe kur u ulëm në kuzhinën e apartamentit tim, filloi të më pyeste për punën që bëja. Sigurisht që nuk i tregova që po shkruaja një roman për 9/11 dhe mendoj se ai e dinte mirë këtë punë, por më pyeti për punën time në Radio Televizionin Shqiptar, për orët e mia të punës në aeroportin e Bostonit dhe për gjëra të tjera, për të cilat unë, për një çast, e ndjeva veten të ndrojtur. Sidoqoftë, ai m'u përgjigj me edukatë dhe më tha se për çfarë të doja, mund të merrja në telefon për çdo shqetësim. Pasi ma tha këtë, ai u largua.
Lini një Përgjigje