Mbaj mend para ca vitesh, kur isha akoma student, që më rastisi të takoja pronarin e shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri.
Në fakt takimi ishte i rastësishëm, pasi unë, maniak librash si dhe jam, kisha zënë radhë e nuk lëshoja pe për një autograf nga Ismail Kadare.
Nën shoqërinë e zonjës së tij Helenës çuditesha si nuk i lodhej dora, që më dukej ashtu e plakur por ende trime,
Atëherë më kap nga krahu Bujari e më thotë, o cun, ec para, se kështu s’të vjen radha kurrë, mos ki frikë.
Dhe aty unë kuptova frikën time, nga shkrimtari i madh, aq i madh sa nuk do bëhet asnjëherë ndonjë shkrimtar në Shqipëri.
Sa libra ke? - pyeti Bujari.
Tre. - thashë unë.
E mirë, - tha,- thuji ta firmosë për ndonjë shoqe.
Dhe vërtet libri u firmos për një shoqe që Kadareja i madh e dëgjoi emrin gabim dhe libri ju dedikua Jolës.
Por kjo nuk kishte rëndësi.
Bujarin do e takoja dhe njëherë tjetër. Një vit më vonë. Aty më tha një batutë: s’i kuptoj këto shqiptarët që nuk lexojnë, ça bëjnë muhabet me gratë.
Mendoj se Bujar Hudhri ka qenë gjithmonë një figurë e rëndësishme për kulturën shqiptare. Dhe mendoj se ka qenë ndoshta njeriu që e ka vuajtur më shumë vdekjen e Ismail Kadare.
Nuk mund të themi se ka qenë njeriu i tij më i afërt, pasi ai vend i rezervohet Drago Siliqit, as Helenës madje.
Këtë vit duhet të shkojmë në panair dhe për Kadarenë. Të shkojmë dhe për gjuhën shqipe që po vdes ngadalë.
Të shkojmë dhe të mbushim çantat, të blejmë ndonjë libër dhe për familjarët, për miqtë që i kemi jashtë.
Për ndonjë snob panairi mund të duket vend koti, ku nuk ka verë të shtrenjtë, por, për ne popullin, mbetet festa e librit.
Lini një Përgjigje