Simfoni e tingujve të rinj të muzikës klasike, One Albania mbështet zërat krijues të GjiroClassica-s

25 Shtator 2024, 13:07Kulturë TEMA

Simfoni e tingujve të rinj të muzikës klasike, One Albania

Promovimi i talenteve të reja të artit dhe skenës shqiptare si dhe nxitja e muzikës klasike janë motivet në qendër të festivalit Gjiroclassica. Ky event unik që bashkon zërat e rinj krijues mbështetet nga lideri i telekomunikacionit One Albania, si pjesë e angazhimit për të nxitur promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë.

Nën titullin “TEMPO & GJIROCLASSICA”, aktiviteti i ndarë në dy netë koncertesh, në datat 23 dhe 24 shtator, ofroi një platformë ideale për gjeneratën e ardhshme të artistëve.

Koncerti i parë përfshiu të gjithë laureatët dhe fituesit e çmimit "Absolut" nga tre edicionet e konkursit "Tempo". Më shumë se 200 instrumentistë nga të gjitha trevat shqiptare: pianistë, violinistë, violonçelistë, flautistë dhe kitaristë, janë bërë pjesë e këtij konkursi.

Koncerti i dytë iu dedikua fituesve të çmimit "Remo Vinciguerra", me të rinjtë e talentuar të konkursit “TEMPO” dhe festivalit “GJIROCLASSICA”, të cilët interpretuan veprat e kompozitorit italian Remo Vinciguerra, të shoqëruar nga kuarteti i harqeve dhe trio jazz në piano.

Ky projekt ndërthur muzikën klasike me trashëgiminë kulturore, duke i lidhur më tej artistët e rinj me kulturën shqiptare. Duke mbështetur këtë festival, One Albania po investon në të ardhmen e zërave krijues dhe në brezin e ri të talentuar.

 

 

Lini një Përgjigje