Një serial televiziv që ndoqa këto ditë, “The Day of the Jackal”, version i ri i një seriali të mëparshëm dhe i një filmi dhe, origjinalisht, i romanit me të njëjtin titull të Frederick Forsyth, më bëri të mendoj për mitologjinë e snajperit në narrativat bashkëkohore, ku kjo figurë – më shumë personazh se realitet – ka marrë hijen e një gjysmëperëndie të vdekjes. Dhe nuk e kam aq fjalën për snajperin efektiv të forcave ushtarake në fushëbetejë, as për rekordmenët e vrasjeve siç janë rrëfyer në filmat për Stalingradin, por për snajperin vrasës e terrorist, figurë vetmitare, stilistikisht të kulluar, që endet në zonat e errëta të vetëdijes së botës, në shoqëri të valixhes kompakte ku mban armën e vet fatale. Snajperin dhe armën e tij formidabël, por snajperin që është edhe ai vetë një armë, që përdoret prej një të treti, si dorë për të vrarë. Të paktën që prej Dallas-it 1963, kaq e kaq libra dhe filma i janë kushtuar, por miti i ka rezistuar vjetrimit, falë një tisi tmerri që e mbështjell: mundësisë, sado probabilitare, që cilido prej nesh mund të goditet për së largu, me kusht që dikush të mendojë aq lart për ty, sa të harxhojë paratë për një plumb të largët. Dhe sa e admirojmë zotësinë e snajperit, aq edhe e përçmojmë për tinëzinë që ky tregon, për fshehjen dhe kamuflimin, për padukshmërinë, mbase edhe burracakërinë. Distanca, e amplifikuar nga teknologjia, shndërrohet kështu në armike të betuar të virtytit. “Çfarë burri je ti, që...”
Për arsye edhe mirëfilli narrative, në ekran dhe në faqen e librit, snajperi terrorist do të përfundojë megjithatë në figurë magnetike, tërheqëse, njëlloj siç është tërheqës gjarpri me kafshimin e vet të ftohtë; shumë prej nesh e admirojnë jo aq ngaqë vret, sa për eficiencën, kontrollin, kombinimin fatlum të virtytit shqisor me disiplinën intelektuale dhe vullnetin e hekurt. Një mbinjeri. Snajperi është në gjendje të rrijë pa ngrënë, pa pirë, në diell e në shi, madje edhe të ulë ritmin e frymëmarrjes, temperaturën e trupit, rrahjet e zemrës, shkurt, t’i afrohet ai vetë vdekjes – si mpirje e ngrirje e lëvizjes – për të përmbushur misionin. Figura të tilla, kaq superiore, përfundojnë rregullisht të përdorura: name a price. Të fuqishmit e botës kanë nevojë për to, sepse i shohin si lapsa për t’i ndrequr e ndryshuar krye-rrëfimet sipas dëshirës. Në fakt, narrativisht, snajperi e editon realitetin, duke e hequr viktimën personazh nga rrëfimi. Dhe e bën këtë nga një distancë ndonjëherë aq e madhe, sa njeriu fillon të mendojë për magjinë, edhe kur nuk mendon se plumbi erdhi nga një dimension i katërt a nganjë realitet paralel.
Kjo mbase do të shpjegojë edhe egërsinë me të cilën trajtohet një snajper i kapur, e krahasueshme me çfarë i ndodh pilotit bombardues që bie në duart e turmës poshtë, i mbështjellë me parashutë si me qefin. Sepse snajperi e piloti, këto qenie të buta dhe relativisht të brishta, nuk i qëndrojnë dot kurrë krahasimit me efektet e tmerrit që shpërndajnë. Përndryshe, një atentator çfarëdo – të themi ajo dyshja e zezë në motoçikletën që ekzekutoi bankierin Santo në Tiranë, apo vrasësi elegant i ambasadorit rus Karlov në Ankara – e konsumon tensionin e aktit duke ndarë të njëjtën hapësirë me viktimën. Ashtu edhe në atentatet që kemi parë, në filmat e Kinostudios (“në emër të popullit...”); për të mos folur për regjicidet dhe akte të tjera, ku flijimi i atentatorit është pjesë integrale e skenarit. Edhe gjakësi i Kanunit, që largohet ndonjëherë qetësisht nga vendi ku ka vrarë, e di që është ai vetë njeri i shënjuar nga vdekja, që në momentin kur ka shkelur këmbëzën. Siç është i shënjuar nga vdekja ushtari në betejë. Prandaj na irritojnë aq keq pilotët e avionëve bombardues dhe kontrolluesit e dronëve, ndonjëherë me mijëra kilometra larg vendit ku po ndodh vrasja. Jo ngaqë vrasin, por ngaqë nuk kanë asnjë të drejtë të jenë aq larg, kur vrasin.
Njëlloj si serial killer-i, snajperi – që është edhe ai serial me përkufizim – nuk mund ta përdorë epërsinë e tij ndaj vdekëtarëve përveçse si vegël entropike, që i thjeshton narrativat dhe kokëçarjet. Vrasje të panumërta ndodhin sot në botë, por të pakta janë ato që kanë thjeshtësinë dhe kthjelltësinë e një ekzekutimi me snajper. Nëse vrasjet në fushëbetejë – edhe ato nga snajperët ushtarakë – i përligjin si detyra, snajperi terrorist e ofron shërbimin e tij për shitje, ndonjëherë pa ditur asgjë për kë po vret dhe pse. I kërkohet të jetë amoral. Jo të besojë se po bën mirë, dhe as të dyshojë nëse po bën keq; të dyja këto do ta pengonin. Kur e patën pyetur një snajper veçanërisht të zotin se çfarë ndiente, çfarë përjetonte kur tërhiqte këmbëzën, ky u përgjigj: “zmbrapsjen (e armës)”. Në fakt, snajperi nuk është veçse një zgjatim, edhe më mekanik, edhe më determinist, i pushkës së vet. Jo më kot shqipja sot lëkundet midis SNAJPER-it si personit që vret për së largu, dhe SNAJPER-it si emër i armës që përdoret për këto vrasje.
Ka shumë që mbase mrekullohen jo aq pas vrasjes me snajper, sa pas përgatitjes së saj: maskimit të përsosur, montimit të armës, kalibrimit të tejqyrës, matjes së shpejtësisë së erës, orët e kaluara në soditje të botës, që të kujtojnë shqiponjën, kur fluturon në kërkim të presë. Janë momente të një kontrolli të tillë, që njeriut zakonisht nuk i lejohet. Kur kryqi i retikulit të tejqyrës rrëshqet nga një kokë te tjetra, ne spektatorëve na duket sikur gishti te këmbëza është yni. Ashtu snajperi, në ekran dhe në faqe të librit, na shtie në mendje idenë e keqe se të gjithë e fshehim brenda vetes dëshirën irracionale për t’i zgjidhur tensionet dhe mosmarrëveshjet me plumb. Ose më mirë – për ta pasur këtë mundësi, qoftë edhe si teorike.
Ironia e serialit televiziv që u bë shkas për këto radhë, është se heroi i tij, në përpjekje që të arrijë synimin dhe ta kryejë vrasjen për të cilën do të paguhet (aq mirë, sa të heqë pastaj dorë përfundimisht nga profesioni), detyrohet pastaj të vrasë poshtë e lart, për t’u mbrojtur: nga ata që duan ta ndalin, nga ata që aksidentalisht e pengojnë, nga të gjithë ata që i afrohen aq sa ta identifikojnë. Snajperi e rrethon veten me vdekje, njëlloj si avatari i një videoloje të llojit FPS (first person shooter), i cili nuk mund të ndërveprojë me të tjerët, përveçse duke i vrarë. Kill or be killed. Logjika binare (booleane) e një gjysmëperëndie maksimalisht të thjeshtuar.
Sepse, në analizë të fundit, kësaj figure kaq superiore, kaq sublime edhe në momentet kur e realizon thelbin e vet të qenies vrasëse, i mungon liria. Deri edhe liria e gjakësit në Kanun, që del vërtet në pritë për viktimën dhe e vendos këtë në shenjë, por gjithnjë mund të ndërrojë mendje dhe ta lërë vrasjen për më vonë. Ndonjëherë më duket se kjo pafuqi për të ndërruar mendje provon se snajperi, sado superior ndaj nesh, nuk është tërësisht njerëzor; në kuptimin që mbinjeriu – nëse mbinjeri është vërtet – është gjithnjë diçka më poshtë, ka gjithnjë diçka mangët. Në rrethanat ku gjendet, snajperi është po aq i pafuqishëm që ta ndalë vrasjen, sa edhe arma e vet. Ashtu, më shumë se gjakësit në pritë, i ngjan Lekë Paridit të Iliadës, që ishte predestinuar të vriste Akilin, duke e qëlluar në thembër me shigjetë të helmuar.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është punuar me Google Whisk & Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje