Studentët e Fakultetit të Arteve përfshihen në vendimarrje për logon e 60 vjetorit të Universitetit të Arteve

14 Janar 2026, 18:06Kulturë TEMA
Studentët e Fakultetit të Arteve përfshihen në vendimarrje

 Në Atelierin e Grafikës, në Fakultetin e Arteve të Bukura, u mblodhën sot pedagogë e studentë, në kuadër të shpalljes zyrtare të konkursit për përzgjedhjen e logos fituese të 60-vjetorit të Universiteti i Arteve.

Ky workshop me pedagogë të Programit të Studimit Grafikë i dedikohej studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura për një qasje konceptuale dhe praktike mbi procesin e dizenjimit të logos institucionale, duke u ndalur te identiteti vizual, memoria institucionale dhe roli i dizajnit grafik në përfaqësimin e një jubileu historik.

Aktiviteti përfshiu leksion dhe punëtori praktike, nën udhëheqjen e lektorëve Harri Aleksi dhe Kein Katroshi, si pjesë e procesit përgatitor dhe edukativ në funksion të konkursit.

Universiteti i Arteve e  konsideron këtë workshop, një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes aktive të studentëve në ndërtimin e identitetit vizual të Universitetit të Arteve në 60-vjetorin e tij.

Universiteti i Arteve, dikur Instituti i Lartë i Arteve, i themeluar më 1966, bashkoi tre institucione artistike: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura, dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Më 1990, me ndryshimet në sistemin arsimor, Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel Universiteti dhe u emërua “Akademia e Arteve”.

Më 23 mars të vitit 2011, u krijua Universiteti i Arteve mbi bazën e Akademisë së Arteve, duke ruajtur të pandryshuar strukturën e Fakulteteve: Fakultetin e Muzikës, Fakultetin e Arteve të Bukura dhe Fakultetin e Artit Skenik. A.K./TemA

Lini një Përgjigje