Tirana mirëpret edicionin e parë të Festivalit Mesdhetar të Filmit me 70 filma pjesëmarrës dhe 5 çmime

2 Maj 2025, 12:09Kulturë TEMA
Tirana mirëpret edicionin e parë të Festivalit Mesdhetar të

Tirana mirëpret edicionin e parë të Festivalit Mesdhetar të Filmit. Me mbi 3030 aplikime nga vende të ndryshme të rajonit dhe 70 filma të përzgjedhur, festivali do të zhvillohet për katër ditë në “Kinema Agimi”, duke ofruar shfaqje filmash, masterklas, takime me regjisorë dhe aktorë të njohur, si dhe një mbrëmje gala të veçantë.

I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Tomas Pando, përfaqësues për komunikimin me median, theksoi rëndësinë dhe përmasat e festivalit. Ai shtoi se festivali do të zgjasë katër ditë, me një strukturë të mirëorganizuar.

Ka qenë surprizë e madhe si edicioni i parë si Festivali Mesdhetar i Filmit të Tiranës me 3030 aplikimi dhe nisi si një vazhdimësi e shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar dhe i Dialogut, morëm iniciativën për të krijuar Festivalin Mesdhetar të Tiranës për të nxitur dialogun dhe rritjen e ndjeshmërisë të historive të përbashkëta që ndodhin në rajonin mesdhetar. Festivali ndahet në 4 ditë. Dita e parë konsiston në një mbrëmje gala, ku do të ketë një spektakël, ka shumë të ftuar nga industria e filmit në Shqipëri dhe në rajon, dita e dytë e tretë konsiston në masterclass dhe workshop nga njerëz të ndryshëm të botës së filmit dhe dita e fundit është dita e ndarjes së çmimeve”, u shpreh Tomas Pando.

Më tej, Tomas Pando sqaroi se filmat pjesëmarrës në festival janë të metrazhit të shkurtër dhe dokumentarë, të përzgjedhur mbi baza cilësore dhe tematike. Pando sqaroi se kriteret kryesore për përzgjedhjen e filmave kanë qenë gjatësia nga 12 deri në 20 minuta dhe trajtim i tematikave sociale e kulturore të rajonit mesdhetar.

Filmat do të jenë me metrazh të shkurtër dhe dokumentar, do të jenë 5 cmime si filmi më i mirë, aktori më i mirë, regjisori më i mirë, artisti i ri më i mirë dhe drejtori i fotografisë më i mirë. Temat kryesore që trajtohen janë tema sociale dhe ekonomike dhe gjithashtu dhe emigracioni dhe vështirësitë që hasin të rinjtë në rajonin mesdhetar. I gjithë festivali do të zhvillohet tek “Kinema Agimi” dhe filmat do të jepen nga ora 19:00 deri në orën 22:00. Kriteret kryesore për të përzgjedhur filmat kanë qenë minutazhi i cili duhet të jetë nga 12-20 minuta dhe të trajtojnë çështje kulturore dhe sociale te rajonit mesdhetar. Film shqiptar kemi vetëm një film dhe titullohet “Boksieri” i realizuar nga Genti Deçka ndërsa nga Kosova kemi 3 filma”, tha Pando

Pando theksoi rëndësinë që ky festival ka për promovimin kulturor të Tiranës dhe bashkëpunimin artistik mes vendeve mesdhetare.

Një ndër arsyet kryesore te festivalit është që ne të kemi shkëmbim kulturor dhe të promovohet Tirana. Aktori Arben Bajraktari ka qenë një nga njerëzit më bashkëpunues, ai do të jetë vetëm natën e fundit në ndarjen e çmimeve dhe do të ketë një monolog dhe natën finale do të jetë me datë 4 maj në orën 19:00”, tha Tomas Pando.    

Festivali Mesdhetar i Filmit në Tiranë synon të bëhet një traditë vjetore dhe do të sjellë në vëmendje histori shoqërore dhe ekonomike përmes fuqisë së kinemasë.

/RTSH/

Lini një Përgjigje