Tjetër arritje e piktoreve shqiptare në koloninë e Manastirit

29 Maj 2025, 18:17Kulturë TEMA
Tjetër arritje e piktoreve shqiptare në koloninë e Manastirit

Të tjera lajme të mira mbërrijnë nga qyteti i Manastirit, në Maqedoninë e Veriut, ku po mbahet konkursi i pikturës “Small Montmartre of Bitola”.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Melsi Qirici, uroi piktoren e vogël Flavia Kokthin, e cila u përzgjodh ndër 18 më të mirët nga mbi 100 artistë të rinj.

“Ky është vetëm fillimi për një gjeneratë që premton shumë. Faleminderit për përfaqësimin dinjitoz, për ngjyrat që i dhatë Manastirit dhe për frymën pozitive që sollët”, u shpreh Melsi Qirici.

Grupi prej 6 vajzash shqiptare po e vazhdon me sukses e entuziazëm pjesëmarrjen e tyre në këtë koloni artistike në Manastir.

“Small Montmartre of Bitola” është një koloni botërore e artit për fëmijë që ekziston prej 44 vitesh. Çdo vit nga 23 deri më 30 maj në Manastir të Maqedonisë së Veriut mblidhen më shumë se 150 fëmijë, profesorë të artit për fëmijë dhe prindër, nga rreth 25 shtete. Ata ftohen të pikturojnë me temën “Arkitektura e vjetër”. Çdo ditë jepen çmime për piktorët e vegjël më të mirë, gjithashtu organizohen vizita edhe në qytetin e Ohrit. Në fund shpërblehen 12 piktorët më të mirë, shkolla më e mirë dhe nxënësi më i mirë i edicionit vjetor të kolonisë.

/atsh/

Lini një Përgjigje