Udhëtimet me tren

3 Dhjetor 2024, 15:02Kulturë Ylli Demneri

Udhëtimet me tren më pëlqejnë. Jo me trenat ekspres, por me ata që ndalen në çdo stacion. Në ata stacione të vegjël si kolibe, ku rrallë qëllon të ngjitet ndonjë udhëtar e, akoma më rrallë, të zbresë ndonjë. (Nëpunësi i stacionit ul tabelën e sinjalit, heq kapelën, hap derën e «kolibes» dhe futet brenda).
Më pëlqen kur udhëtoj vetëm. Në pamundësi që të dal e të lëviz, mblidhem në vetvete, duke vështruar nga dritarja si para një ekrani (kush ka thënë që kinemaja është treni më i mrekullueshëm që një fëmijë mund të ëndërrojë ?)…
… fusha pas fushash, një pemë e vetme në mes si çadër pa mbulesë ; ca dele, më tutje ca shtëpi me kopshte të vegjël me gardhe, gardhe me tela, kallama, gurë ; një lopatë e mbështetur në murin e barakës së mbuluar me llamarinë ; një biçikletë e vjetër hedhur në një qoshe…
… barëra e bimë të egra buzë shinave ; grumbuj zhavorri, tullash, kartonash ; goma makinash ; stiva me binarë…
… përsëri fusha ; plepa të gjatë e të zhveshur ; mbrapa tyre një shtëpi ; pyje pas pyjesh, lëndina, trungje të shpërndarë ; fusha të pluguara, fusha të shkreta, fusha djerrë ; zogj që ngrihen papritur e marrin fluturimin sikur t’i kishte qëlluar njeri ; asnjë njeri ; re të bardha, re gri ; fushave të mbuluara me një push të blertë një rreze dielli si projektor mbi kumbullën e bardhë…
… dy shtylla që mbajnë njëra-tjetrën ; shina të ndryshkura ; shtëpi e braktisur pa çati : bimë kacavjerrëse mbi mure (pamja më e trishtuar), la mort au travail…
Treni vazhdon të ecë, të përparojë.
I zgjas biletën kontrollorit dhe kthehem përsëri nga dritarja.
Pamje që më kujtojnë të tjera vende, të tjera kohë ; dhe telat elektrikë që më ndjekin përgjatë udhëtimit, fap ! ikin me nxitim. Duket sikur i shkojnë në fill për t’i mbajtur pezull, ato, pamjet dhe kujtimet. Si fotografi ende të pathara.

2 Komente

  1. L
    LXh

    Shumë mbresë lënëse. Shkruani shumë me ndjenjë. Mbas leximit tuaj, më kapllon nostalgjia, për gjithëçka të bukur të asajë kohe, që na bëri burra e pleq.Ju falenderoj.

    Përgjigjjuni
    1. H
      Hieronymus Posh

      Ylli je njesh

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje