Unë, Lekë Tasi, dëshmitari i mbijetuar i një kohe që ende kërkon drejtësi.
Fjala e z. Lekë Tasi në ceremoninë e nderimit dhe dhënies së titullit “Qytetar Nderi”
18.02.2026
Ju faleminderit për prezencën tuaj. Falënderoj Bashkinë e Divjakës dhe Autoritetin e Dosjeve.
Internimi im në vendin që sot më nderon e ka ndarë jetën time në dy pjesë: përsekutimin, që e kam përjetuar dhe plotesimin e detyrës qe kam ndaj familjes sime, e cila sot nuk ekziston më, si dëshmitar i historise se saj.
Historia e përndjekjes sime fillon kur unë isha 6 muajsh foshnje. Babi im, duke qenë në shoqëri të Ali Këlcyrës, u bë objekt i një atentati vrasës, nga i cili shpëtoi me 2 plumba në trup që i prekën fytyrën dhe një plumb në kofshë; i treti shpoi kapelën dhe i katërti shkoi bosh.
Arsyeja ishte sepse foli troç mbi disa të vërteta aktuale. Ai denonconte nga emigracioni, si antizogist që ishte, një fakt dhune ndaj disa fshatrave, akt që e ka ende historia e vëllimit të dytë të vitit 1974. Historia e Akademisë e vitit 2007 e falsifikon këtë, duke thënë se denoncimi i babit tim ishte fallco.
Kështu që unë ndodhem tani në mungesë të tij dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes që kanë vepruar nën ndikimin e tij, sepse kishin gjakun e tij për të folur troç mbi faktet, dhe kjo mbetet.
Unë jam sigurisht në moshë të madhe, në pritje që të iki. Do të mbetet trashëgimia e raportit të shoqërisë me familjen time, një pikë e pashteruar, madje shpeshherë fajësuese për familjen tonë.
Unë, me vëllezërit e mi dhe motrën, kemi insistuar që të mbetemi në Shqipëri gjatë eksodit. Vëllai i madh, Napoloni, mbeti në Shkodër; vetëm e bija dhe i biri shkuan në emigracion, sepse ishin shumë dobët. Edhe fëmijët e mi u larguan për arsye studimi.
Ndërsa Ylli ishte i vetmi që u largua nga Shqipëria me një qëllim shumë të rëndësishëm. Ai kishte shpikur një motor shumë funksional në raport me automjetin ekzistues dhe kështu që shkoi në Greqi me këtë qëllim dhe ia arriti, në fakt, pavarësisht se nuk pati mundësi ta faktorizojë në treg, sepse kjo është një histori shumë e gjatë.
Dhe e them këtë për qëndrimin tonë ndaj vendit: “Prej luftës veç ai largohet që është lindur tradhtar”.
Babi im, 14 vjeç, shkonte në Egjipt, punonte. Në moshën 17 vjeç shkoi në Amerikë bashkë me vëllanë e tij Arqilen, 14 vjeç, dhe qëndroi 4 vite. Vëllai i tij Arqile ndenji atje për 30 vjet dhe u kthye për të shërbyer këtu, në Bibliotekën Kombëtare, por edhe në aspekte të tjera të kulturës, në teatër, duke përkthyer vepra.
Këtë veprimtari babi im e sfidoi, qoftë duke kaluar nga Përmeti në Durrës në mbrojtje të pushtetit popullor, pastaj në Luftën e Vlorës, duke kaluar nga Përmeti në Tepelenë. Më pas vazhdoi me politikë, duke u zgjedhur deputet në legjislaturën e parë, në vitin 1921. Pastaj, në të ashtuquajturin Revolucion i Qershorit, i cili copëtoi opozitën antizogiste, ai i qëndroi besnik opozitës, sepse mori pjesë në dy tentativa kryengritjeje, në 1926 dhe 1931. Me një fjalë, nuk iu largua kurrë qëndrimit të tij.
Mirëpo atentati që iu bë në Vlorë vazhdon t’i bëhet edhe sot me historiografinë, duke i hequr meritat dhe, përkundrazi, duke e fajësuar si shpifës për denoncimin e tij.
Zbimi i fshatarëve nga fshatrat paraqitet sikur ishte një gjë e padrejtë, ndërkohë që historiografia e vitit 2007 i del në krah regjimit të Zogut, kur bëheshin brutalitete të tilla, vetëm për të vënë një njollë mbi Koço Tasin.
Kjo ishte pjesa e parë, për të cilën unë jam shumë i pakënaqur dhe mundohem gjithmonë të nxjerr faktin, duke lexuar letra historie, shtypin, duke u ndalur te të rejat që dalin, të cilat në fakt janë shumë të vjetra dhe të njohura prej nesh.
Se sa do të dalin për rrethin tonë familjar, kjo mbetet një pikëpyetje.
Tani dua t’ju flas veçanërisht për çdo person të familjes sime, në vështrimin se sa rezistent ka qenë secili për të folur troç për faktet dhe për të kundërshtuar të folurin fallco për to.
Babi im u arrestua më 17 nëntor dhe u dënua me burgim të përjetshëm, i cili më pas iu kthye në 20 vjet punë në kampe dhe pastaj në Burrel. Nuk bëri asnjë lëshim për liri.
Pak javë pas arrestimit bëri gjëra të vogla, por që dëshmonin për një rezistencë në karakter. Nuk e ndjente egërsinë e të qenit në burg. I vjen Koçi Xoxe për inspektim dhe të gjithë çohen në këmbë, ndërsa ai i thotë shokut se nëse çohet në këmbë, ai do ta presë në çast.
E them këtë sepse pesha e babit, e gjithë mendja dhe ideja e Koço Tasit ishtë se nuk ka armiqësi mes njerëzve për arsye ideje, por ka armiqësi ose kundërshti vetëm për çështje karakteri.
Në qoftë se Mosisi Spahiu ishte luftëtar dhe i dha respekt të madh babit tim, kjo është një marrëdhënie tjetër njerëzish që e çmojnë njëri-tjetrin për karakter dhe jo për ide.
Unë, duke kontrolluar shtypin, dhe për fat shtypi nxjerr shumë fakte për të vërtetuar tezën që them unë, shoh shumë nacionalçlirimtarë me funksione të rëndësishme në administratën e parë qe ishin te drejte dhe e pesuan. Sali Orhëni, që kundërshtoi hapur vendimin e Byrosë Politike për të pushkatuar 22 veta të elitës shqiptare dhe paraqiti argumente se kjo ishte e paligjshme për shkak të Kushtetutës.
Jani Sofo mori urdhër nga Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu personalisht për të vrarë një fshatar 80-vjeçar, hero lufte, dhe e kundërshtoi. Ky bëri një gjyq, e fitoi gjyqin dhe më pas e eliminuan, sikur rrezikonte Bashkimin Sovjetik.
Babi, bashkë me djalin e dajës Bardhyl Dini, shkuan në trojet e Kosovës në verën e vitit 1944. Babai i Bardhylit, Grigor Dini, bashkë me të tjerë, patën shkuar në vitin 1911 nga Amerika të veshur ushtarakë, me flamurin shqiptar dhe pushkën. Bardhyli me babin në vitin 1944 shkuan në Kosovë, me këtë informacion, të komanduar nga ushtarakë për të mbrojtur Kosovën nga ushtarët malazezë. U dënuan. Këto tregojne se nuk iu shmangem luftës per drejtesi.
Tefta, një vajzë 15-vjeçare, tentoi të bënte shaka prej adoleshenteje. Ia morën për keq dhe donin ta rekrutonin me revole në tëmth. Ishte ajo koha e viteve ’40, krejt pa doreza, diktatura staliniste. U arrestua dy herë: një herë në vitin 1947. Im vëlla Napoloni u arrestua në vitin 1946 dhe kishte pësuar tortura të mëdha dhe, kur u dënua, kaloi në kampet më të tmerrshme të Maliqit, Kavajës dhe me radhë.
Herën e dytë Tefta u arrestua në kamp internimi, në përvjetorin e datëlindjes së Enverit, në vitin 1949. Kaloi një hetuesi të rëndë, si rrallë në vende të tjera, por vetëm në Lushnjë. I ra tensioni vetëm nga ushqimi i njëanshëm që i lejonin, vetëm me sheqer, pa kripë. U pickua edhe nga një nepërkë dhe shpëtoi. Këtu shoh atë që thashë më parë: që diktatura nuk depërtoi. Shoh diferencimin e njerëzve.
Ylli, vëllai i vogël, ka bërë shpikje me racionalizimin në ndërmarrjen “Ura”. Zgjidhi çështjen e ferrotave të makinave, duke bërë pompa hidraulike prej 300 tonësh me mjete rrethanore. Megjithatë, kur inauguroheshin këto reparte, i thoshin të mos merrte pjesë dhe meritën e tij nuk e mori.
Ky vlerësim sot nuk është vetëm një nder personal, por një moment reflektimi për të gjithë ne. Është një kujtesë se e vërteta, sado të vonojë, nuk shuhet. Ajo mbetet, kërkon të thuhet dhe kërkon të njihet.
Ju faleminderit.
Lini një Përgjigje