Edicioni i 76-të i Festivalit të Sanremos do të transmetohet ekskluzivisht në RTSH nga 24 deri më 28 shkurt, duke sjellë për publikun shqiptar një nga ngjarjet më ikonike të muzikës italiane.
Në këtë edicion, këngëtarja e njohur Laura Pausini rikthehet si bashkë-prezantuese krah Carlo Contit, ndërsa në garë do të jetë edhe kantautori shqiptar Ermal Meta me këngën “Stella Stellina”.
I ftuar në studion e emisionit “Në Kohë Reale” në RTSH1, regjisori Nikolin Gurakuqi theksoi se Sanremo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Shqipëri, duke frymëzuar krijimin e Festivalit të Këngës.
“Sanremo është një institucion identitar i kulturës muzikore italiane, i muzikës së lehtë dhe është pasaporta e kësaj kulture. Ka një histori shumë të madhe, është themeluar në vitin 1951 dhe ai format që është themeluar atëherë me këtë sot janë si nata me ditën për nga paraqitja por atëherë këndohej. Kjo kulturë u përhap në të gjithë Evropën dhe ndikoi edhe tek ne dhe u krijua Festivali i Këngës me identitetin tonë por ne mësuam nga ai festival dhe patëm shumë tendenca të reja në ato kohë”, u shpreh Gurakuqi.
Festivali do të transmetohet për publikun shqiptar në RTSH1, RTSH2, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1, duke sjellë atmosferën e Sanremos drejtpërdrejt në ekranet dhe valët e RTSH-së.
Fotoilustrimi ne shperputhje me artikullin!