UNMIK-u prezantoi në Prishtinë ekspozitën globale të fotografisë, ku shfaqen imazhe të fuqishme të realizuara nga fotografe gra. Një ekspozitë si një thirrje për të drejta të barabarta.
Ekspozita thekson rolin jetik të grave si promovuese të paqes, mbrojtëse të të drejtave të grave dhe paqeruajtëse, duke vënë në fokus temën globale “Gratë, Paqja dhe Siguria” (WPS).
Përfaqësues të UNMIK thanë se, ekspozita na përkujton se gratë shpesh përballen me pasojat më të mëdha të konflikteve dhe luajnë gjithashtu një rol qendror në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke forcuar besimin dhe promovuar ndryshime pozitive.
Ekspozita u ngrit më qershor 2025 në selinë e OKB-së në Nju-Jork, në 25-vjetorin e Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit dhe prej asaj kohe po udhëton nëpër shtete të ndryshme. Pjesë e këtij turneu botëror u bë edhe Kosova.
E shfaqur në 11 vende, Kosovë, Abyei, Qipro, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos, Haiti, Liban, Mozambik, Territorin e Okupuar Palestinez, Sudan dhe Sudanin Jugor, ekspozita paraqet një tregim kolektiv të qëndrueshmërisë, forcës dhe shpresës. Kosova përfaqësohet nga dy lidere të shquara: ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Gordana Gjoriq, të dyja mbrojtëse të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria. Portretet e tyre janë realizuar nga fotoreporterja Laura Hasani.
Ekspozita do të qëndrojë në Bulevardin “Nënë Terezë” në Prishtinë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri më 10 dhjetor për të gjithë që duan ta ndjekin. A.K./TemA
Lini një Përgjigje