(Pjesa e tretë e esesë kushtuar mundësive dhe gjasave.)
Pas pandemisë së Covidit, konspiracistët kanë sjellë narrativat dhe shpjegimet e tyre (alternative) për origjinën e virusit, efektet e tij “reale” në njerëz, efektivitetin e vaksinave, efektet anësore të këtyre dhe ndonjëherë edhe qëllimet “e fshehta” të vaksinimit. Si edhe herë të tjera, këto teori konspirative e lidhin edhe pandeminë, edhe reagimin zyrtar ndaj saj me “komplotin” e elitave kundër njeriut (“kundër teje”).
Kohët e fundit shumë po flitet për toksicitetin e vaksinave kundër Covidit, veçanërisht atyre që përdorin teknologjinë mRNA, që është relativisht e re. Thuhet se këto vaksina i kanë dëmtuar të vaksinuarit, duke shkaktuar probleme me zemrën dhe sistemin imunitar dhe se këto efekte vazhdojnë të shfaqen edhe sot, duke i detyruar elitat dhe ekspertët që të gënjejnë publikun haptazi, për të mbuluar gabimet dhe madje krimet e tyre.
Të tilla teori i ka nxjerrë deti edhe në brigjet tona.
Një vaksinë e re, para se të hidhet në qarkullim, kalon në disa faza testimi (këtu e më poshtë, thjesht po përmbledh të dhënat nga faqja përkatëse e CDC): duke filluar nga ajo që quhet “proof of concept”, kur ekspertët studiojnë aftësinë e vaksinës për të shkaktuar një përgjigje imunitare në kafshë, p.sh. në minj. Nëse kjo ndodh vërtet, atëherë kalohet te faza e dytë, që është ajo e testimit në njerëz, e njohur edhe si prova klinike (clinical trial). Çdo provë e një vaksine të re me njerëz duhet miratuar nga një autoritet mbikëqyrës (në SHBA, ky autoritet është Food and Drug Administration, një agjenci federale).
Prova klinike përfshin një fazë të parë, të testimit me grupe të vogla, për të studiuar efektet anësore dhe efikasitetin e vaksinës për të shkaktuar një përgjigje imune. Pas kësaj, faza e dytë e zgjeron numrin e pjesëmarrësve në 100-300 vetë, që kanë karakteristika të ngjashme me ata që do ta marrin vaksinën. Faza e tretë e zgjeron edhe më numrin e pjesëmarrësve, në 1000-3000 vetë, për t’u dhënë mundësi ekspertëve të ndjekin efektet anësore më pak të zakonshme. Ka edhe një fazë të 4-t, e cila vjen pas licencimin e vaksinës nga autoriteti publik (FDA).
Para se vaksinat kundër Covidit të autorizoheshin për përdorim publik, ato kaluan nëpërmjet testimit sipas fazave më lart.
Procesi i testimit është i kolauduar mirë në rrjedhë të kohës dhe garanci e tij janë vaksinat që merren, çdo vit, nga miliona vetë anembanë botës. Por, në rastin e Covid-it, mund të supozohet se ndonjë fazë e procesit u përshpejtua, në mënyrë që vaksina të hidhej në qarkullim sa më parë, për të ndalur pandeminë.
A mund të ketë efekte anësore të papranueshme vaksina e tipit mRNA?
Testuesit dhe autoritetet përkatëse e pranojnë që çdo vaksinë mund të ketë efekte anësore, madje janë në gjendje edhe të matin probabilitetin që këto efekte të ndodhin – p.sh. 1 në 100,000 vaksinime, ose 1 në 1,000,000 vaksinime. Çështja nuk është nëse efektet anësore janë të mundshme (possible), por nëse ato janë aq probabël (probable) sa ta bëjnë vaksinën të parekomandueshme. Ka caqe të cilat vendosen me marrëveshje nga ekspertët – në bazë të së dhënave klinike dhe kritereve objektive (të matshme).
Për shembull, shanset (odds) për t’u sëmurur me miokardit pas dozës së dytë të vaksinës mRNA në grupin më të rrezikuar (meshkuj 12-17 vjeç) janë 35.9 për 100,000 të vaksinuar (në një kohë që, për të njëjtin grup, rreziku pas infeksionit me Covid është 64.9 për 100,000 të sëmurë). Kjo e dhënë, 35.9 për 100,000, është gjykuar si cak i pranueshëm nga autoritetet publike dhe ekspertët; ose si një rrezik i përligjshëm, përballë përfitimit shëndetësor dhe social nga vaksina.
Konspiracistët që dalin në publik dhe thonë se vaksinat kundër Covid-it janë toksike (për zemrën, etj.) mbështeten edhe ata në të dhëna, por të dhënat e tyre janë shpesh anekdotike – kështu i ndodhi djalit të xhaxhait të gruas sime; nuk kanë natyrë statistikore, por thjesht narrative; dhe, në rastin më të mirë, mbështeten në korrelacione të pamjaftueshme. Për shembull, numri i shtuar i miokarditit në mosha të reja, një e dhënë që mund të vijë nga një klinikë kardiologjike, përdoret si argument kundër vaksinës; edhe pse miokarditin në të rinjtë e shkakton edhe Covid-i vetë[1]. Por konspiracistët, në përgjithësi, as janë në gjendje të mbledhin vetë të dhëna, as i interpretojnë mirë të dhënat ekzistuese; ata thjesht përfitojnë nga ankthi i publikut, përballë një të keqeje masive, si pandemia.
Natyrisht, çdo vlerësim për vaksinën duhet të mbështetet si në të dhënat pandemike ashtu dhe në të dhënat për efektet e padëshiruara që janë vërejtur në praktikë; dhe këtu natyrshëm mund të pyetet sa të besueshme janë këto të dhëna – po sikur autoritetet të na gënjejnë? Në fakt, ky i gënjeshtrës, i fshehjes së të vërtetës dhe i manipulimit të së dhënave është edhe argumenti kryesor i konspiracistëve, që duan të provojnë se “elitat” po na tërheqin për hunde; dhe çështja e besueshmërisë së shkencës reduktohet (katandiset) në një çështje të besueshmërisë ndaj ekspertëve dhe autoritetit shkencor.
Por këtu bëhet fjalë për dy besueshmëri të ndryshme – një gjë është të besosh se metoda shkencore, e cila përdoret edhe për të testuar sigurinë e vaksinave, mund të shërbejë për të gjetur të vërtetën; dhe një gjë tjetër është të besosh se elitat dhe institucionet publike ia fshehin popullit të vërtetën. Në rastin e parë, bëhet fjalë për rolin e shkencës në shoqëri; në rastin e dytë, për rolin e institucioneve të kontrollit. Të dy rastet mund t’i nënshtrohen hulumtimit dhe diskutimit; çfarë më duket e palejueshme, është përzierja e tyre e qëllimshme, siç ndodh, për shembull, kur dështimet e institucioneve të kontrollit dhe të autoritetit publik të përdoren si argument për të diskredituar metodën shkencore dhe shkencën në përgjithësi.
Tek e fundit, konspiracisti që merr fjalën për të hedhur poshtë qëndrimin publik për sigurinë e vaksinës anti-Covid nuk është në gjendje ta bëjë këtë duke shfrytëzuar të dhëna që i ka mbledhur vetë në mënyrë të pavarur; dashur pa dashur do të shfrytëzojë ose të dhënat tashmë të bëra publike nga palë të treta, ose do të shesë opinione personale, anekdota dhe narrativa individuale si argumente. Me fjalë të tjera, ose do të thotë që “këtë e kam lexuar në revistën Lancet”, ose do të thotë që “kushëriri im vdiq nga miokarditi pas vaksinimit”. Argumenti i dytë është pa vlerë ose pseudo-argument, meqë mbështetet në një narrativë; ndërsa argumenti i parë mund të qëndrojë, me kusht që konspiracisti ta ketë kuptuar artikullin që ka parë në Lancet. Për fat të keq, shumica e konspiracistëve nuk janë në gjendje të lexojnë dhe të kuptojnë një artikull të botuar në një revistë mirëfilli shkencore.
Ka mundësi (it is possible), që vaksinat kundër Covid-it të mos jenë aq të sigurta sa të kënaqin kërkesat e autoriteteve rregullatore në shumë vende perëndimore. Kjo ndodhi, për shembull, kur AstraZeneca kërkoi që BE t’ia hiqte autorizimin për vaksinën e vet Vaxzevria, për shkak të disa efekteve anësore që kishin dalë në dritë pas përdorimit masiv të vaksinës. Shkak për këtë u bënë të dhënat epidemiologjike, jo shqetësimet dhe akuzat e konspiracistëve. Po ashtu, një studim serioz që hulumtoi prognozën afatgjatë (deri në 18 muaj) të miokarditit pas vaksinimit anti-Covid me mRNA në Francë, që shfrytëzoi të dhënat e Sistemit kombëtar francez të së dhënave shëndetësore, tregoi se rastet me miokardit pas vaksinës, në moshat e reja, duhen marrë parasysh nga autoritetet që rekomandojnë vaksinimin në të ardhmen, me vaksina të llojir mRNA.[2] Pa u futur më tej në këto diskutime, unë vetëm po dua të vë në dukje se të njëjtët konspiracistë mosbesues ndaj autoriteteve shëndetësore, nuk e kanë fare problem që të përdorin si argumente të njëjtat të dhëna ku bazohen autoritetet, por për rekomandimet e tyre.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".
[1] Jo kushdo që e ka kaluar Covid-in, e di që e ka kaluar, dhe aq më pak e ka të konfirmuar (me test).
[2] Çuditërisht, një artikull në një tabloid, që i referohej këtij studimi, ilustrohej me fotografinë një 26-vjeçari nga Zelanda e Re, që kish vdekur nga miokarditi 12 ditë pasi kish marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer. Tabloidët, edhe kur nuk i përqafojnë haptazi teoritë konspirative, e shfrytëzojnë lirisht impaktin e tyre psikologjik ndaj lexuesit.
Bota eshte ne kete gjendje per Shume arsye qe dime, dhe Shume te tjera qe nuk kemi mundesi t'i njohim. Komplotistet mundohen te kuptojne te verteten dhe nuk blegerijne si bageti para fakteve te kryera, shpesh here Shume te renda. Sa per sqarim lexo studimin e fundit mbi vaksinat mRNA dhe shiko ndryshimet ne qelizat e imunitetit te ngjashme me ndryshimet nga HIV. Po prit se s kemi pare gje akoma
Dhe mos harro ATA te rinj, kryesisht gra, qe vdiqen me tromboze cerebrale ne venat e trurit ( semundje tmerresisht e rralle) nga vaks astrazeneca. Apo dhe ti blegerin si turma para realitetit djallezor dhe armiqesor te kohes sone?
"Terminatori" i "perralletarve" te albanologjise u ka shpallur lufte edhe "perralletarve" te medicines e pertej!!!
Shkrim idioti: cili ilac ne bote nuk ka efekte anesore?
E sakte... vetem ilacet ( cfare mbillet nga toka ,mund te jete e paster ) popullore munden te jen te pastra pa efekte anesore..