Shkova ta bëj vaksinën mRNA sapo ajo u vu në dispozicion të publikut në SHBA – edhe pse isha i vetëdijshëm për rrezikun e efekteve anësore. E mora këtë vendim, për t’u vaksinuar, ngaqë u besova autoriteteve shëndetësore që thoshin se vaksina i kënaqte kriteret e sigurisë, siç besova edhe që efektet anësore nga vaksina, edhe po të ndodhnin, ishin më pak të rrezikshme se efektet anësore nga infeksioni me COVID. Të dy këto argumente që për mua rezultuan bindëse ishin të llojit probabilistik, mbështeteshin në odds për t’u prekur nga ky apo ai efekt anësor; por unë mora parasysh edhe gjendjen time shëndetësore personale, siç rekomandohej nga autoritetet.
Vendimin për t’u vaksinuar ma ndikoi edhe atmosfera e ankthit dhe, ndonjëherë, e tmerrit gjatë pandemisë në New York, numri i të vdekurve dhe sirenat e ambulancave 24 orë në ditë, anembanë qytetit. Njëherazi arsyetova se gjasat që autoritetet shëndetësore të më gënjenin (të ma fshihnin të vërtetën) ishin më të ulëta se gjasat që të sëmuresha nga COVID-i. Kjo nuk do të thotë se u besova këtyre autoriteteve 100%; thjesht u besova mjaftueshëm; dhe mendova se ishte probabilisht më mirë për shëndetin tim që ta bëja vaksinën, se që të mos e bëja.
Tani që kanë kaluar disa vjet, e kuptoj se rol jo të vogël në vendimin tim luajti trysnia psikologjike e të jetuarit në një qytet të plagosur rëndë nga pandemia; e cila njëherazi më bëri të mendoj se edhe autoritetet vetë – publike a okulte – ishin arsyeshëm të interesuara që jeta të kthehej në normalitet. Me fjalë të tjera, kur e mora vendimin për t’u vaksinuar, përdora në thelb të njëjtën metodë – atë probabiliste – që kishin përdorur edhe zhvilluesit e vaksinës, edhe autoritetet që e kishin licencuar; duke krahasuar gjasat apo odds dhe duke mos e harruar asnjëherë mundësinë që po kushtëzohesha psikologjikisht nga prania e pandemisë vetë (tek e fundit, edhe shkencëtarët që e zhvilluan vaksinën, edhe autoritetet që e miratuan, i ekspozoheshin së njëjtës trysnie psikologjike).
Ekspozeja më lart do të përfitojë nga një shqyrtim i shpejtë i motiveve të atyre që i janë shmangur vaksinës kundër COVID-it – për këto po citoj anketën e analizuar nga një artikull shkencor që i kushtohet retorikës anti-vaksinë dhe dizinformimit, ku refuzuesit e kanë shpjeguar vendimin e tyre duke përmendur “elitat e korruptuara” (të cilat përfituan nga pandemia për të imponuar politikat e tyre dhe tani i promovojnë vaksinat për të përfituar financiarisht); “lëndimet nga vaksina” (efektet anësore, çrregullimet mendore, deri edhe mikroçipet e kontrollit); “origjinën e mbrapshtë të COVID-it” (nga agjenci okulte dhe që synojnë pushtetin global); “kërcënimet ndaj lirisë” (përfshi kufizimet e lirisë së fjalës, të grumbullimit publik dhe të autonomisë); dhe “nevojën për liri shëndetësore” (kornizimi i shëndetit publik si çështje lirie individuale, jo përgjegjësie kolektive: “My body, my choice”, me referime ndaj lirisë fetare dhe lirisë së fjalës). Një pjesë e madhe e këtyre argumenteve vijnë nga burimet e (kundër-)informacionit online.
Personi që refuzon vaksinën për vete, familjarët dhe të afërmit dhe veçanërisht fëmijët e tij duket sikur e transferon frikën ndaj një sëmundjeje potencialisht vdekjeprurëse te mjeti që do ta mbrojë prej saj; kushedi edhe ngaqë mendon se prej rrezikut të infeksionit mund të ruhet njëfarësoj; ose përkundrazi, mendon se COVID-i nuk është aq i rrezikshëm sa ç’e bëjnë, dhe se fushatat e sensibilizimit publik dhe nevojës për t’u mbrojtur synojnë në fakt vaksinimin e detyruar, si një formë e kontrollit biopolitik. Këtu mbase luan një rol edhe droja ndaj një trajtimi biologjik invaziv, në rrethanat kur subjekti është i shëndetshëm (e njëjta frikë që na bënte, kur ishim fëmijë, t’i druheshim për vdekje vaksinimit në shkollë, teksa e pranonim pa shumë naze gjilpërën që na bënte doktori në poliklinikë, për një kollë që na zgjonte natën). Nga ana tjetër, vendimi për t’u vaksinuar i përgjigjet një logjike binare: e bëj/nuk e bëj, ndaj së cilës individit i duket sikur ka më shumë kontroll, se ndaj turbullirës probabiliste të realitetit të infeksionit masiv. Përballë rrezikut të COVID-it, disa njerëz parapëlqejnë të mendojnë sipas dikotomisë: më kap/nuk më kap (në thelb 0/1) dhe vaksinën e refuzojnë ngaqë e interpretojnë si “kapje” simbolike.
Edhe pse konspiracistët që predikojnë bojkotimin e vaksinës shpesh e ftojnë publikun e tyre që t’i hulumtojë vetë rrethanat (DYOR – Do Your Oën Research), si rregull as ata, as ndjekësit e tyre, nuk janë në gjendje të kuptojnë as bazat më elementare të diskursit rreth pandemisë, shkaqeve të saj dhe politikave shëndetësore dhe sociale për kufizimin dhe zmbrapsjen e saj; dhe ftesa që publiku të shfletojë burime alternative, zakonisht online, parakupton përçmimin ndaj autoriteteve shëndetësore, duke filluar nga mjekët vetë; paçka se këto autoritete janë burimet kryesore të informacionit të mbështetur në databaza të gjera dhe të mbledhur në bashkëpunim me operatorët në terren. Paradoksalisht, frika përballë një situate të pakontrollueshme nxit revoltën ndaj atij autoriteti, të cilit deri dje njerëzit i besonin gati automatikisht (p.sh. për të çuar fëmijën te mjeku), por që tani shihet – nëpërmjet një të menduari magjik – si të ishte shkaktar i krizës; shpesh edhe ngaqë autoriteti vetë nuk i ka përgjigjet për krizën dhe as mjetet për ta përballuar.[1]
Është edhe një faktor tjetër që më duket se duhet përmendur: shumë prej nesh janë mësuar të arsyetojnë në mënyrë binare: po/jo, një/zero, gjallë/vdekur; por nuk janë në gjendje të interpretojnë dhe as të krahasojnë drejt të dhënat epidemiologjike për një sëmundje – për shembull, në një popullsi prej 1,000 vetësh, 300 prej tyre sëmuren nga një sëmundje specifike dhe prej këtyre 100 vdesin. Në këtë rast, vdekshmëria është 0.1 ose 10 për qind; ndërsa case fatality rate (vdekshmëria mes të prekurve) është 0.33 ose 33 për qind. Në një rast tjetër, në një popullsi prej 1,000 vetësh, 50 vetë preken nga sëmundja, dhe prej këtyre 40 vdesin; çfarë do të thotë se, për rastin e dytë, vdekshmëria është 0.04 ose 4 për qind, ndërsa case fatality rate është 0.8 ose 80 për qind; incidenca e vdekjes nga sëmundja është më e lartë në popullsinë e parë, por sëmundja është më e rëndë në popullsinë e dytë. Tani le të përfytyrojmë një person jo-ekspert, të cilit i kanë sugjeruar të vendosë, në bazë të së dhënave të këtij lloji, nëse do të vaksinohet apo jo kundër një sëmundjeje specifike; gjithë duke marrë parasysh edhe shkallën e mbrojtjes që ofron vaksina vetë. Kam frikë se një jo-ekspert nuk është në gjendje ta marrë këtë vendim në mënyrë autonome, dhe do të vendosë në bazë të këshillës nga një autoritet – mjeku, përfaqësuesi i shëndetit publik, politikani, një familjar a i afërm, një mik, komuniteti fetar, një grup online ku diskutohet për këto gjëra, një artikull që ka lexuar në një tabloid, një konspiracist që del të flasë natën vonë në TV ose në YouTube. Shmangia e vaksinës, si në rastin e COVID-it, tregon – mes të tjerash – se, në rrethanat kur autoriteti i institucioneve është dobësuar për një kompleksitet shkaqesh, konspiracistët dhe mediat kanë përpunuar një diskurs për publikun që rezulton më bindës, se ai i autoriteteve tradicionale.
Edhe pse i vaksinuar tri herë (me Pfizer), e kam kaluar COVID-in të paktën po aq shpesh, por me simptoma jo më të rënda se ato të një gripi të zakonshëm dhe – deri më sot – pa ndonjë pasojë afatgjatë, as nga COVID-i as nga vaksina. Nuk them dot me siguri që vaksina më mbrojti nga ndonjë formë e rëndë e sëmundjes; tek e fundit, sëmundjeve të tilla do t’u dobësohet vetvetiu virulenca me kalimin e kohës; dhe kjo është formë e evoluimit të natyrshëm të virusit. Por them se, me gjasë, vaksina më mbrojti; siç më kanë mbrojtur, në rrjedhë të viteve, edhe vaksina të tjera që kam bërë. Edhe barnat që marr, për arsye të ndryshme, kanë gjithfarë efektesh anësore të njohura, por kjo nuk më pengon; dhe u besoj autoriteteve shëndetësore, që i kanë licencuar. U besoj këtyre autoriteteve, siç u kam besuar kur kam çuar të vaksinoj fëmijën; ose kur lashë duhanin, me vuajtje të parrëfyera – tek e fundit, unë vetë nuk e verifikoja dot se cigarja po më vriste dalëngadalë; dhe ngado që vete, shoh akoma pleq e plaka nga nëntëdhjetë e kusur vjeç, që tymosin me afsh të madh. Por njeriu e ka të vështirë të mendojë në mënyrë racionale për të ardhmen; prandaj edhe duhet t’i besojë veglës së probabilitetit, në duart e ekspertit. Është probabiliteti relativisht i lartë për t’u sëmurur, si duhanxhi, nga kanceri i mushkërive, kanceri i gojës dhe sëmundjet kardiovaskulare që më bindi për ta lënë; por kjo nuk do të kish ndodhur, sikur të mos i besoja autoritetit të burimeve që m’i japin këto të dhëna. Në fakt, e gjithë jeta e përditshme në një vend të qytetëruar varet nga shkalla e besimit që kemi tek autoriteti publik: sa i pastër është uji që pimë? Sa i shëndetshëm është mishi që blejmë në dyqan? Nga e dimë që vaji që e kujtojmë vaj ulliri është në fakt vaj topash i rafinuar? Çfarë garancie kemi, që ilaçi që blejmë në farmaci nuk ka – gabimisht – një dozë 100-fish më të lartë për tabletë? Po sikur vaksina kundër COVID-it të jetë thjesht ujë i distiluar? Edhe pse jemi të vetëdijshëm që autoriteti publik mund të jetë i korruptuar, i shitur ndaj interesave të big pharma, e kështu me radhë, kjo ende nuk mjafton, për të na bindur që të mbledhim plaçkat (nëse plaçkave u zëmë akoma besë) dhe të shkojmë të jetojmë në pyll…
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".
[1] Këtu mbase duhet të përmend edhe ata që i bëjnë vaksinat, por pastaj e prezantojnë veten si no-vax, për t’u konformuar me grupin ku (kujtojnë se) bëjnë pjesë. Për një numër të madh njerëzish, sidomos burrash, vaksinimi nuk është cool (“ç’a dreq burri je ti, që shkon e vaksinohesh!”); dhe, në analizë të fundit, vendimi për t’iu nënshtruar arsyes publike (ose autoritetit publik) mund të jetë mirëfilli privat, teksa personi përkatës vazhdon të mbajë, brenda grupit a komunitetit të vet, qëndrimet që e kanë bërë pjesë të atij grupi a komuniteti. Ky lloj reagimi mbase duhet klasifikuar edhe ai si i llojit “My Body My Choice”.
Ardian Vehbiu, mos ki merak se kermat qe propagandojne vaksinat jane po ashtu te vdekur si ata delet e tjere. Mendon se meqe po luzan lojen e vrasesve do te shpetosh? Me tre vaksina (nese i ke bere me te vertete) je kthyer ne nje kufome qe vjen ende verdalle (dead man walking).
Ky shkrim i dobët, Ardian, siç dhe thua mbështetet te propabiliteti. Të gjithë ne që nuk e bëmë këtë vaksinë po te propabililiteti u mbështetëm. Pra vumë në kandar kredibilitetin e qeverive provaksinë me të kundërtën e kësaj. Kujtuam sa e sa raste kur këto palo qeveri dhe autoritete kanë gënjyer sì derr, kanë mashtruar, kanë zhgënjyer, kanë manipuluar, kanë abuzuar, kanë vrarë, kanë thënë gjysmë të vërteta, i kanë hyrë kaq e kaq herë detit në këmbë etj. etj. Njëra pikëpyetje është: Si ka mundësi që këta zogj e krijuan vaksinën kaq shpejt, ndërkohë që nga përvoja dihet që duhen disa vite të testohet efektshmëria e këtyre vaksinave? Dhe po këtu: Po pse nuk arrijnë të bëjnë vaksina të tilla, tip "fast-food", edhe për sëmundje të tjera akute si kanceri etj.? Dhe pyetja tjetër: Mirë që e shpikën dhe e prodhuan masivisht, por a nuk do të duhej që efektshmëria e kësaj vaksine të ishte e dukshme, siç ndodh me të gjitha vaksinat e tjera? Ti dhe Pfizer-i etj. duhet ta ndani mendjen: pasi e ke bërë këtë vaksinë, të kap apo jo më sëmundja? Po qe se po, atëherë e ke marrë përgjigjen (le t'i lëmë përrallat me efekte anësore), po qe se jo, atëherë establishmenti na ka gënjyer edhe një herë tjetër, si gjithmonë, në mënyrë të kamufluar. Shkrim i dobët, që s'i duhet kujt.
Vaksinimi ishte pjesa e luftes dhe zhvatja e lekeve nga kompanite farmaceutike. Dhe per kete mban 100 % faj qasja abuzive e europes e lidhur me tregetite e Kines.