Veshjet tradicionale janë trashëguese të kulturës dhe traditave shqiptare. Shkodra rreth viteve 1900 konsiderohej një qytet i madh tregtar, ku vlonte tregtia. Shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtrit” më në zë në tregti.
Një ndër ta ishte dhe Filip Staku i cili i qepte me mjeshtëri kostumet tradicionale. Mbesa e tij, Albulena Staku disa prej punimeve të gjyshit të saj 120-vjeçare i ruan me fanatizëm.
“Këto janë veshje të grave katolike të qytetit të Shkodrës. Është një veshje që i përket viteve 1800-1900. Gjyshërit e mi kanë pasur një dyqan që punonin me kostumet e vjetra tradicionale. Materialin e parë e kanë marrë në Trieste. Kanë pasur një makinë që të realizonin veshjet”, tregon Staku.
Një nga objektet tradicionale të asaj kohe ishte dhe arka e pajës e gjyshes së saj.
“Nëna e ka pas pajën e saj në një arkë prej druri. E ka pas dhuratë nga një skulptor. Është arkë prej dru arre dhe është e ruajtur prej një shekulli. Kanë shumë rëndësi pasi tregojnë për prejardhjen time”, tregon ajo.
Veshjet popullore mbartin histori në vetvete, ato janë thesar i paçmuar për traditën kulturore të popullit tonë.
Lini një Përgjigje