Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, botuesja Loreta Berhami flet për librin “Brezi i Ankthit” të autorit dhe psikologut social Jonathan Haidt, një nga veprat më të diskutuara të viteve të fundit mbi ndikimin e teknologjisë në zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Një nga paradokset që Haidt nxjerr në pah në libër, është ajo që ai a cilëson si "safetyism", obsesionin e prindërve për sigurinë fizike të fëmijëve, duke mbetur indiferentë ndaj mirëqenies së tyre psikologjike dhe shpirtërore teksa lundrojnë në rrjet.
Berhami sjell një krahasim domethënës mes realitetit shqiptar dhe vendeve perëndimore, duke theksuar se shqetësimi i prindërve për sigurinë fizike të fëmijëve në Shqipëri është i justifikuar, por shpesh edhe te ne prodhon një pasojë të padukshme: izolimin.
"Shqetësimi i prindërve shqiptarë për sigurinë fizike të fëmijëve, mendoj unë, ndryshe nga vende të tjera, është edhe më i justifikuar dhe më i bazuar në realitet, sepse në Shqipëri vërtet mund të kesh frikë për fëmijën tënd, sepse nuk ka më hapësira publike ku fëmijët të luajnë dhe të socializohen.
Ka rrugë, ka rrugë, ka makina, ka njerëz me biçikleta. Kështu që, absolutisht që ky është një shqetësim. Si do e siguroj fëmijën tim fizikisht. Dhe për këtë arsye nuk e lë më fëmijën tim të dalë dhe të luajë i lirë."
Sipas Berhamit, kjo është një “dramë e përditshme” që shumë prindër ndoshta nuk e vënë re.
"Këtij kufiri objektiv mendoj që i jemi përgjigjur në mënyrën e gabuar, sepse përgjigja nuk është ta detyroj fëmijën të rrijë në shtëpi dhe duke qenë se ai rri në shtëpi dhe mërzitet, t'i jap telefonin në dorë dhe t'i them më lër të qetë gjysmë ore, ajo gjysmë ore pastaj përkthehet në 4 apo 5 orë, dhe unë ndërkohë jam rehat. Kjo nuk duhet të ishte përgjigja. E di që është e vështirë. Megjithatë, mendoj që përgjigja duhet të ishte, të gjejmë ato pak hapësira që ka, t'i çojmë fëmijët atje, të investojmë kohë.
Dhe përgjigja nuk mund të jetë gënjeshtra që i themi vetes tonë, që për aq kohë sa janë brenda në shtëpi, janë të sigurt. Nëse janë në shtëpi dhe i kemi lënë telefonin në dorë, në fakt i kemi nxjerrë jo në rrugë, po i kemi nxjerrë në një botë tjetër, që nuk është e ndërtuar për ta. Nuk është e menduar që t'i mbrojë ata. Përkundrazi, është grabitqare, sillet si grabitqare ndaj këtyre fëmijëve, dhe ne aty i kemi lënë komplet të lirë, të pavarur, pa asnjë lloj kontrolli, pa asnjëlloj as shoqërimi.
Libri “Brezi i Ankthit”, tashmë i përkthyer në shqip, sjell një thirrje të qartë për rishikimin e mënyrës si po rriten brezat e rinj në epokën e rrjeteve sociale. Për Berhamin, sfida qëndron te gjetja e hapësirave reale për lojë dhe ndërveprim, si një mënyrë për të mbrojtur fëmijët jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00
Si rrjetet sociale vodhën fëmijërinë e një brezi | Loreta Berhami | Apostrof #40