Analisti Lutfi Dervishi, në një bisedë për Apostrof Podcast, foli për mënyrën se si mediat shqiptare janë kthyer në një skenë të përnatshme ku debatet dhe përplasjet politike kanë zëvendësuar çdo lloj programi televiziv, duke mos lënë aspak vend për kulturën, apo edhe argëtimin.
“Shih produktet televizive,” tha Dervishi. “Çdo natë, nga e hëna në të premte, nuk ke më filma, as programe të lehta, por politikë. Politika është 'pjata' kryesore në menunë e darkës.”
Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një shoqëri më të ndërgjegjësuar politikisht, pasi në një pjesë të madhe të tyre, këto debate nuk konsumohen më si diskutime të thelluara, por shërbejnë si material nga ku mund të nxirren fragmente të shkëputura, që riciklohen në rrjete sociale për të gjeneruar klikime dhe reagime emocionale.
“Është një lloj ushqimi që copëtohet nga media dhe u hidhet rrjeteve sociale për të ushqyer turmën."
Ai kritikoi logjikën e garës për shikime dhe pëlqime, ku vlera e informacionit zëvendësohet nga popullariteti.
Dervishi e sheh këtë prirje si simptomë të një spektakli të vazhdueshëm politik, ku interesi publik është zëvendësuar nga performanca, ndërsa informimi i qytetarit është shndërruar në konsum të shpejtë përmes algoritmeve dhe rrjeteve sociale.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/Ytq6E_SUoFw