Dokumentari "Katër masa shpirti" nga Albana Kozeli udhëton në Itali në festivalin e RAI-t, "Prix Italia"

16 Tetor 2025, 12:04Kulturë TEMA
Dokumentari "Katër masa shpirti" nga Albana Kozeli udhëton

Dokumentari “Katër masa shpirti”, me regji të Albana Kozelit, udhëton në Itali në një nga festivalet më prestigjioze që realizohet nga RAI prej më shumë se 70 vjetësh nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Italisë.

“Katër masa shpirti” është një prodhim ekskluziv i Radio Televizionit Shqiptar kushtuar ikonës së filmit shqiptar, kompozitorit të ndjerë Kujtim Laro. Vepra është një udhëtim muzikor e emocional në trashëgiminë artistike të Laros, mbi 35 kolona zanore të mbetura në kujtesën kolektive.

Nën autorësinë e Kozelit, me montazhin e ndjeshëm dhe ritmik të Gjergj Panos, si dhe me analizat e Holta Sinës, dokumentari zbulon të pathënat, brengat dhe brendësinë e kompozitorit që me muzikën e tij u dha jetë disa prej filmave më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.

Dokumentari do të konkurrojë në edicionin e 77-të të konkursit ndërkombëtar “Prix Italia”, që mbahet në Napoli në datat 20–24 tetor 2025.

“Katër masa shpirti” u shfaq premierë sivjet në vigjilje të ditëlindjes së Laros, në kinema “Millenium”.

Kujtim Laro (1947–2004) u lind në maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vonë shërbeu si pedagog për shumë vjet në Akademinë e Arteve. Ka punuar gjithashtu si drejtor artistik pranë Ansamblit të Ushtrisë. Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë. Ai ka lënë pas rreth 35 kolona zanore filmash shqiptarë, dhjetëra këngë festivalesh dhe krijime të tjera muzikore. Kujtim Laro u nda nga jeta në vitin 2004.

- RTSH-

Lini një Përgjigje