“Nuk ka ndere shoqërore”, Elhaida Dani zbulon surprizat e këtij edicioni të Festivalit në RTSH

16 Tetor 2025, 09:03Kulturë TEMA
“Nuk ka ndere shoqërore”, Elhaida Dani zbulon surprizat e

Drejtoresha artistike e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, Elhaida Dani, ishte e ftuara e Andri Xhahut në Radio Tirana 1.

Pas publikimit të emrave të konkurrentëve në Festival, Dani sqaron se 28 këngët u zgjodhën nga një juri profesionistësh. “Nuk jam unë ajo që i zgjedh këngët. Sigurisht, unë jap vizionin tim artistik të Festivalit por janë pesë anëtarët e jurisë që zgjedhin këngët. Komisioni i ka dëgjuar me ditë e orë të tëra për të zgjedhur më pas materialet më të mira. E di që ka qenë e vështirë për të gjithë.

Këtë vit aplikuan 120 artistë me dëshirën për të prekur skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. “Është një rekord për të cilin jam shumë krenare. Festivali i vitit të kaluar pati një bujë kaq të madhe sa i bëri artistët shqiptarë të eksperimentonin dhe të kishin më shumë shpresë në Festival.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Radio Tirana (@radiotirana_)

Mes emrave në garë janë 18 artistë BIG (të njohur) dhe 10 emra të rinj, të cilët prekin për herë të parë skenën e Festivalit. Dani tregon se përmes kësaj formule dëshiron t’i japë hapësirë jo vetëm emrave BIG që kanë krijuar muzikën që dëgjohet sot, por edhe të rinjve të cilët janë e ardhmja e muzikës.

E pyetur për pritshmëritë e publikut për artistët konkurrues, Elhaida Dani e ka një përgjigje. “Një gjë që e kam kuptuar shumë mirë gjatë karrierës sime është se ai që nuk kënaqet asnjëherë nuk do të kënaqet kurrë. Dua të tregohem e sinqertë! Këngëtarët e njohur shqiptarë e kanë më të vështirë të marrin pjesë, siodmos pas rastit të vjetshëm ku fitoi Shkodra Elektronike, një dyshe jo aq e njohur sa Elvana Gjata. Këngëtarët BIG e kanë më të vështirë dhe kanë frikë të marrin pjesë në Festival sepse kanë idenë që mund të vijë një i ri dhe ‘ua hedh karrierën përtokë’. Kjo nuk ndodh, sepse, për shembull, Elvana shndrit akoma sot dhe do jetë gjithmonë Elvana Gjata. Nuk është një festival që të ul poshtë apo të ngre lart. Edhe mua personalisht më ka ndodhur të mos vlerësohem me çmime ose të dal e dyta, por karriera ime nuk ka ndryshuar dhe vazhdoj me sukseset e mia. E kam konstatuar këtë gjë edhe në ftesat që u kam bërë artistëve të ndryshëm, të cilët duket se e kanë më të vështirë pjesëmarrjen në Festival duke ditur që ndoshta mund të mos fitojnë. Në këto vite që unë drejtoj Festivalin e Këngës nuk ekziston të bëhen ndere shoqërore. Fiton vetëm nëse publiku dhe juria të do e të vlerëson.

Për sa i përket stileve muzikore, Dani vëren se kënga “Zjerm” ka pasur shumë ndikim. ”Ajo që mund të them është se Shkodra Elektronike, fituesit e Fest63, kanë ndikuar shumë tek stilet muzikore që kanë sjellë krijuesit në këtë Festival. Do kemi një version të një folku shqiptar të modernizuar dhe unë këtë gjë e dua shumë, sepse ka qenë vizioni im që vjet me temën ‘rrënjët’. Këtë vit tema e festivalit është ‘Neo Albania Future’, që do të thotë vizioni i të ardhmes së muzikës shqiptare. Duam ta japim këtë vizion që bazohet te rrënjët por që sheh nga e ardhmja.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Radio Tirana (@radiotirana_)

Edhe këtë vit, të 28-ta këngët konkurruese do të publikohen më parë. “Të gjithë kërkojnë këngët dhe është absolutisht e drejtë. Ato do të publikohen në muajin nëntor. Duam që çdonjëri t’i dëgjojë këngët më përpara dhe në katër netët në Pallatin e Kongreseve, nga data 17–20 dhjetor, publiku t’i ketë njohur, t’i këndojë e të kërcejë në sallë.

Përveç garës, nuk do të mungojnë edhe elementët e spektaklit me të ftuar të shumtë. “Vjet doja të kishim një emër të madh të ftuar, siç ishte Slimane, dhe të duetonim bashkë. Pati aq sukses sa mendojmë që duhet rikthyer. Po punojmë fort që të kemi një emër shumë të madh.

Siç është bërë traditë vitet e fundit, nata e tretë do t’i kushtohet nostalgjisë. “Këngëtarët BIG do të këndojnë këngë të vjetra që nuk janë risjellë vitet e fundit, të cilët do të shoqërohen në duet nga një artist që ata duan.

Dani sqaron se këngët do të vlerësohen nga një proces votimi ku 50% vlen vota e jurisë së profesionistëve, 25% mesazhet e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe 25% vota online nga shikuesit nga e mbarë bota. “Procesi i votimit është edhe më i sigurtë, sepse kemi gati një aplikacion, ‘FiK – Festivali i Këngës’, që mund të shkarkohet nga të gjitha platformat në të gjithë botën. Aty mund të ndiqni drejtpërdrejt Festivalin të transkriptuar në shqip dhe anglisht. Një mundësi për t’u lidhur me botën akoma më tepër.

- RTSH-

1 Komente

  1. j
    joel shkodra

    Festivali yne lindi si kopje e festivalit te Sanremos. Dhe keshtu ka vazhduar. Derisa, se kujt i shkoi ne mendje, si per çdo gje tani ne Shqiperi, te dalim nga skemat e Sanremos e te krijojme gjera te reja. Keshtu edhe dalja ne publik disa kohe para festivalit e kengeve pjesemarrese. Gje e cila ne Sanremo akoma nuk ka ndodhur. Ndoshta do te na kopjojne ne te ardhmen. Efekti surprize, kur kenget nuk njihen me perpara, por degjohen per here te pare ne festival, eshte me i madh se "dallaveret" per kenget qe degjohen e behen masive para festivalit. Kuriozitet: Ne festivalet e para (1962-63) nuk thuheshin autoret e kengeve gjate neteve te festivalit, vetem kur jepeshin çmimet.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje