Arbëreshët në bashkimin e Italisë (II)

15 Tetor 2025, 19:39Kulturë TEMA
Arbëreshët në bashkimin e Italisë (II)

Gruaja italiane Katerina Pigorni, pas një vizite që bëri në fshatin shqiptar të Lungros, jep këtë mendim për shqiptarët: “Janë njerëz të përzemërt, me një mikpritje si në lashtësi, pa nënkuptime dhe pa rezerva, krenarë për origjinën e tyre”. Mikele Markianoja, autori i librit “Këngë popullore shqiptare”, tregonte për udhëtimin e tij në disa fshatra shqiptare të Kapitanastës. Gjatë këtij udhëtimi një shqiptar nga Portokanoneja, Luigj Kampofreda, i kishte thënë me ngulm se duhej t’u mësonte bijve të vet patjetër gjuhën shqipe, se përndryshe do të paditej prej shqiptarëve për tradhëti të lartë. Në qoftë se sot shqiptarin (e Italisë) e pyesin ç’je, ai nuk do të përgjigjet se është Italian, por vetëm shqiptar, megjithëse që në fëmijëri, që nga klasat e para të shkollës fillore, e kanë mësuar të jetë italian. Në Piana (Siçili) kujtimi i të parëve ishte kaq i fuqishëm, sa për shqiptarët me veti të veçenta thuhej: “Içt nkaa ata të farës”, d.m.th nga ata shqiptarë që ruajnë karakteristikat më të mira të të parëve, shqiptar të vërtetë, pasardhës i denjë i prindërve të tij. Por për lëvizjen çlirimtare italiane dhe vetë shqiptarëve të Italisë, kolegji i San Demetrios shkëlqen në natën e tiranisë, si feneri i ndritshëm i lirisë, që edukon trima shumë të rinj me entuzizmin e një ideje, të cilën ata e gjetën në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj grekë, shkruante autori i librit “Revolucioni kalabrez” Oresto Ditoja.

Si institucion lartësisht popullor kolegji qe qendra e kryengritëse e Kalabrisë: këtu u konceptuan dhe u organizuan lëvizjet e vitit 1844 dhe të vitit 1848, këtu u gatua ndjenja e revolucionit të të gjithë shqiptarëve. Në këtë kolegj studentët më të shumtë ishin shqiptarët dhe vendasit ishin në pakicë, kishte një disiplinë rigoroze dhe ishte organizuar mirë për kohën dhe se shqiptarët, të etur për dituri, e konsideronin atë si burimin, për të shuar etjen për arsim dhe kulturë ose, siç thotë Dora d’Istra “si pemë të jetës së tyre”. Dhe pikërisht për këto arsye reaksioni tiranik i Burbonëve e quante atë “çerdhe gjarpërinjsh” ose “çerdhe djajsh”. Por për lëvizjen çlirimtare italiane dhe vetë shqiptarëve ishte “çerdhe patriotësh”. Për rëndësinë e themelimit të kolegjit shqiptar në Kalabri, De Rada e ka përcaktuar me këto fjalë: “Kolegji u hap si derë e madhe drite të ëmbël e të re për të gjitha familjet shqiptare… Ishte ky agim i ditës sonë, megjithëse pak i largët”. G. Mcioti ka shkruar kështu për kolegjin shqiptar në Kalabri: “Nga kjo fidanishte e diturisë dhe e virtyteve patriotike dolën pastaj kampionët e ardhshëm të revolucioneve të vitit 1844, 1848, 1860”. Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe Vicenzo Tarantino autori i librit “Il contributo degli italo-alabanesi al Risorgimento italiano, Rassegna dei studi albanesi, ano II, Nr. 1 .1962, f.159. Rektori i kolegjit të Palermos Nikolla Keta (1702-1803) Në vargjet e tij shkruan: “Për veteveten”, shkruan për rëndësinë e madhe të këtij kolegji për ruajtjen e traditave kombëtare të shqiptarëve të atij ishulli.

“Si krimb mëndafshi veten harroi

E katër visar tori, qëndisi e shkroi,

Shqipërinë të ndrinte tej e tej.

Kolegji shqiptar nga San Benedeto Ulanoja kaloi në fshatin San Demetrio për shkak se ishte më afër fshatrave të tjera shqiptare të provincës së Kozencës dhe kështu mund të mësonin edhe më shumë fëmijë. Për shqipatët e shquar të Italisë, pjesa më e madhe e të cilëve kishte mësuar në kolegjin e San Benedeto Ulanos dhe më vonë në Sna Demetrio në shekullin e XVIII: “Midis shqiptarëve të Italisë që janë shquar më shumë për virtyte dhe dituri, mund të mjafohemi të shënojmë emrat si vijojnë: Samuele Rodotën, peshkopi i parë ortodoks në Kalabri dhe themeluesi i kolegjit italo-shqiptar, Xhuzepe Bastën jurist dhe profesor shumë i ditur i Napolit, autor i shumë veprave të çmuara në Drejtësi, Nikola Bastën, nipi i tij, shkrimtar i shquar dhe hartues i fjalorit italisht-frengjisht, Domenko Mauron avokat i ditur, autor i shquar i veprave për praktikën civile dhe penale; Paskuale Bafën, helenist i shquar me famë evropiane autor i shquar i kodeve të Filodemit, që u gjendën në rrënimet e Erkolanezit; Stefano Bafën, poet i dashur dhe shumë i gjallë, prej të cilit ruhen shumë dokumenta; Domeniko Buliarin, peshkop ortodoks, helenist i shquar; Domeniko Belushin, peshkop ortodoks shkrimtar dhe shkencëtar; Mikele Belushin, prift dhe helenist i ditur; Antonio Varibobën, prift, autor i shumë poezive shqiptare të botuara në Romë; Nikolla Marini professor i drejtësisë në Napoli; Francesko Marini profesor i gjuhës greke në kolegjin mbretëror të Kozencës; Paolo Skurën jurist i njohur, i cili vdiq në moshë shumë të re; Xhuzepe Noçitini, poet dhe filolog i thellë; Aleksandër Marini jurist i madh; Saverio Mazin, helenist dhe poet; Angjelo Mashi jurist, prokuror i përgjithshëm në gjyqet e apelit të Kalabrisë; Salvatore Marin, kriminalist i shquar, i cili qe prokuror i përgjithshëm dhe kryetar i gjyqit të lartë penal; Xhovani Marini, gjyqtar i gjykatës civile në Potencë; Domeniko Xhuraishte gjykatës penal në provincën e Kalabrisë së poshtëme; Rozaria Xhura prokuror i përgjithshëm pranë gjykatave penale të Tranit, Akuilës dhe të Napolit; De Rada, poet dhe filolog i përmasave evropiane , Gavril Dara i Riu, poet dhe filolog i shquar. Jehona e revolucionit francez kishte mbërritur edhe në Itali. Sidomos periudha e diktaturës jakobine (1793-1794), i tmerroi klasat sunduese në Itali.

Jakobinët shiheshin me admirim dhe dëshira e tyre ishte të pëlciste furtuna. Në Piemont, Bolonjë, Palermo, Napoli, u formuan grupe revolucionarësh me parrullat “Liri ose vdekje”, “Roma ose vdekje”, dhe pikërisht në Napoli qeveria burbone ekzekutoi në këtë kohë disa revolucionarë, si Vitalianin, De Dedon, Galianin e të tjerë, të cilët u përshëndetën nga populli si heronj të lirisë. Në janar të vitit 1793, burbonët në Napoli thërrisnin:”Rroftë shën Pjetri”. Pushtimi i gjatë i Italisë kishte lënë gjurmë të thella. Copëtimi politk i vendit kishte forcuar pozitat ekonomike dhe politike të feudalëve dhe borgjezia ende nuk ishte e zhvilluar. Pushteti Papës siç theksonte historiani napoletan Petro Xanoni, ishte pengesë themelore në rrugën e ndryshimit. Në vitin 1796 ushtria franceze kori suksese në Itali dhe jakobinët italianë e shtuan edhe më shumë veprimtarinë e tyre revolucionare. Më 27 shkurt, gjenerali 27 vjeçar Napoleon Bonaparti, mori në duart e veta komandën e ushtrisë franceze në Itali dhe ushtarëve u shpalli një manifest, me anë të cilit ai i nxiste ata të pushtonin “fushat më pjellore të botës, krahinat më të pasura të Italisë, qytetet e mëdha, të cilat vazhdon ai, - “do të bien në duart tuaja dhe atje ju do të gjeni nderin, lavdinë dhe kënaqësitë”. Revolucionarët italianë pushtimin e Italisë nga Napoloni e quanin çlirim, sepse sipas tyre, vetëm ai mund të sillte ndryshime politike e shoqërore të thella. Harronin faktin se Napoloni dhe mëkëmbësit e tij, gjeneralët e tij, në periudhën prej vitit 1796-1814, thithën nga Italia para, ushqime, vlera artistike dhe njerëz. Në Itali, me marshimin e ushtrisë franceze, u krijuan disa republika, kurse monarkia Burbonëve u përmbys.

Gëzimi i revolucionarëve italianë ishte i papërshkrueshëm. “Në vitin 1796, Buonaroti shkruante; “Po, ne jemi afër çastit të lumtur, kur do ta shikojmë atdheun tonë të lirë! Patriotët italianë i kërkuan gjeneralit francezë Shampionë që ai të njihte Republikën e Napolit dhe të caktonte një qeveri provizore, gjë që ai e bëri më 24 janar 1799, nëpërmjet një dekreti. Qeveria përbëhej prej njëzet vetash, midis të cilëve dy shqiptarë; Xhuzepe Albaneze dhe Paskuale Bafa. Xhuzepe Albaneze dhe disa të tjerë ishin të mendimit se të gjitha pronat e feudalëve duhet t’i përkisnin kombit, konkretisht bashkësisë fshatare. Si rrjedhim ishte e rrezikshme po të mos bëhej “Reforma agrare”, t’u lihej baronëve një fuqi ekonomike dhe politike. Dora d’Istra shkruan se martirizimi i Paskuale Bafës e nxiti edhe më shumë lëvizjen revolucionare të shqiptarëve të Italisë së Jugut për bashkimin e atdheut të tyre të ri.

Qeveria reaksionare e Burbonëve nuk u mjaftua me heqjen e kokës së Paskuales Bafës. Urrejtja ndaj tij ishte kaq e tërbuar, sa ajo dha udrdhër t’i rrëmbehej atij edhe ajo pak pasuri që kishte. “Paskuale Bafa ishte thjeshtësia e tij e barabartë me trimërinë e tij, ai ishte në lartësinë e patrotizmit të tij, dashuria për bashkimin nuk ishte më e paktë nga energjia e tij”. Historiani Italian Karlo Bota, që jetoi në atë periudhë e njohu mirë Paskualen Bafën, shkroi kështu; “Nuk i hyri në punë Paskuale Bafës as ëmbëlsia e pabesueshme e natyrës së tij, as erudicioni i jashtëzakonshëm, as se ishte një nga helenistët i klasit të parë të kohës së tij… njohës i klasit të parë të letërsisë, dhe ai u dënua më dënim kapital prej atyre që nuk dinin më shumë sesa t’i vinin një firmë vendimit me vdekje”. Edhe Vincenso Dorsa shkruante për të - ”Ai ishte nga ata njerëz të cilët në fund të shekullit XVIII zbukuronin të dy Siçilitë (Mbretëritë e Dy Siçilive). Megjithatë xhelatët nuk u zbehën përpara këtij krimi.

 Kastriot Kotoni

 Kastriot Kotoni

Lini një Përgjigje