Zjarri i kryqëzuar mbi shqipen publike

2 Qershor 2025, 19:48Kulturë Ardian Vehbiu

Disa shkrime plot shqetësim për fatin e shqipes publike sot më bënë të mendoj se mund të ketë një fill – në mos kavo çeliku – që i lidh bashkë dështimet në fusha të ndryshme.

Ilir Mborja shkroi për shqipen e kontratave, të shkresave dhe të akteve nënligjore, e cila – siç mund ta konstatojë kushdo që ka nge – është e krimbur në gabime. Edhe drejtshkrimore, edhe gramatikore, edhe “shkronjore” (i mungojnë ë-të dhe ç-të).

Teuta Toska ka shkruar disa herë për shqipen e chat-eve në telefon, sidomos mes të rinjve, ku gjuhën e shkruar e zëvendëson një stenografi e gjuhës së folur, duke i dhënë kësaj tiparet e një transkriptimi.

Të tjerë kanë vënë në dukje gabimet në shtyp dhe në shqipen e portaleve online, duke ia faturuar këto analfabetizmit funksional të shqiptarëve sot – ose të paktën, të atyre shqiptarëve që, në numër gjithnjë e më të madh, po shkruajnë.

Nga ana tjetër, po fundosemi të gjithë në ligatinat e teksteve të përkthyera me versionet “falas” të Google Translate, të cilat mund të jenë drejtshkrimisht korrekte, por që shpesh nuk kanë kuptim dhe sjellin ndërtime gramatikore të huaja.

E njëjta gjë më thonë se ndodh edhe me shqipen e teksteve universitare, e cila në masë të madhe mbetet e pakuptueshme, ngaqë edhe ajo është përkthyer me makinë.

Brezi i ri po mësohet që deri edhe komunikimin gojor, të përditshëm, ta bëjë anglisht – në një gjuhë që po e njeh shumë më mirë se gjuhën amtare.

Ngaqë institucionet që duhej të merreshin me terminologjinë nuk po e bëjnë punën e tyre, shqipen terminologjike e ka pushtuar kaosi dhe ndodh rëndom që i njëjti term burimor – p.sh. në anglishte – të përkthehet me katër a gjashtë terma shqip, nga katër a gjashtë përkthyes të ndryshëm, ose nga i njëjti përkthyes i katër a gjashtë dokumenteve të ndryshme.

Në sferën juridike duket sikur gjerësisht nuk është kuptuar marrëdhënia mes “shkronjës” dhe ligjit. Nëse shprehja “the spirit of the law” (fryma e ligjit) ende duket sikur gjen zbatim në veprimtarinë e përditshme falë lidhjeve që i kanë mbetur me oralitetin, shprehja tjetër, “the letter of the law” (shkronja e ligjit) mbetet e pakuptuar, dhe shumë nëpunës, juristë dhe noterë, për të mos folur për qytetarët, as e çajnë kokën për rëndësinë e saj.

E megjithatë, sistemi ynë kushtetues themelohet mbi ligjin e shkruar, jo mbi kanunin dhe proverbat.

 

1 Komente

  1. B
    Borebardha

    Nje artikull me poshte brezi i ndertuesve te gjuhes shqipe, e sot brezi i atyre qe e shohin si te pamundur mirembajtjen e gjuhes shqipe. Dhe me qesharakja, keta te dytet nuk ngurojne ta radhitin veten me ata te paret! Moj pasqyre, pasqyre ne mur, kush ... .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje