Aktorja e njohur turke, Hande Erçel, është rikthyer në Turqi për të dhënë dëshmi në kuadër të një hetimi për drogë, ku emri i saj është përmendur mes personave të dyshuar.
Sipas raportimeve, Erçel, e cila ndodhej jashtë vendit për shkak të studimeve, mbërriti në Stamboll dhe u paraqit menjëherë në Gjykatën e Çağlayanit, ku dha deklaratën e saj para prokurorit.
Pas përfundimit të procedurave, ajo u shoqërua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për analiza toksikologjike, ku iu morën mostra gjaku dhe flokësh për verifikime të mëtejshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, aktorja konfirmoi kthimin e saj në atdhe, duke theksuar se synon të sqarojë situatën sa më shpejt.
“Për shkak të studimeve kam qenë jashtë vendit për rreth një muaj. Mbrëmë, ashtu si ju, mësova nga mediat për këtë çështje dhe vendosa të kthehem për të dhënë sqarimet e nevojshme. Jam një person që e do vendin e tij dhe i beson shtetit dhe drejtësisë turke. Besoj se gjithçka do të sqarohet shumë shpejt”, u shpreh ajo.
Hetimi po zhvillohet nga Prokuroria e Stambollit dhe përfshin gjithsej 16 persona, të dyshuar për posedim të lëndëve narkotike për përdorim personal ose për lehtësim të përdorimit të tyre. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 14 persona, ndërsa për dy të tjerë, përfshirë edhe Erçel, janë lëshuar urdhra ndalimi.
Lini një Përgjigje