Bisedimet për bashkimin mes Honda dhe Nissan kanë dështuar pasi kompanitë nuk arritën një marrëveshje mbi krijimin e një grupi të përbashkët. Prodhuesit japonezë të automjeteve, së bashku me partnerin e tyre më të vogël, Mitsubishi, synonin të bashkonin bizneset e tyre për të përballuar konkurrencën e fortë, veçanërisht nga rivalët kinezë, shkruan BBC.
Ky bashkim do të krijonte një grup automobilistik me vlerë 60 miliardë dollarë (48 miliardë paund), duke e bërë atë prodhuesin e katërt më të madh në botë për nga shitjet e automjeteve, pas Toyota, Volkswagen dhe Hyundai.
Megjithatë, kompanitë kanë deklaruar se do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në zhvillimin e makinave elektrike.
Sipas analistit Karl Brauer nga platforma kërkimore iSeeCars.com, dështimi i këtij bashkimi nuk ishte një surprizë e madhe.
"Shumë bashkime në industrinë e automobilave nuk kanë funksionuar, dhe kjo marrëveshje kishte po aq mundësi për të dështuar sa edhe për të qenë e suksesshme," tha ai.
Marrëveshja e propozuar do t’i siguronte Nissan-it një ndihmë të rëndësishme pas vitesh të vështira me rënie të shitjeve dhe probleme në drejtimin e kompanisë.
Honda hyri në negociata në një pozicion më të fortë, pasi mbetet një markë popullore globalisht, me prodhim dhe shitje më të larta se Nissan.
Nga ana tjetër, Nissan ka luftuar për të rimëkëmbur pas krizës së lidershipit që shpërtheu pas arrestimit të ish-drejtorit ekzekutiv dhe kryetarit të bordit, Carlos Ghosn, në fund të vitit 2018.
Ghosn u shkarkua nga posti i tij për akuza mbi keqmenaxhim financiar, të cilat ai i mohon, dhe aktualisht jeton si i arratisur në Liban pasi u largua fshehurazi nga Japonia në një kuti pajisjesh muzikore.
Në përpjekje për të ulur kostot, vitin e kaluar Nissan shpalli masën e shkurtimit të 9,000 vendeve të punës në mbarë botën dhe përgjysmimin e pagës së drejtorit aktual ekzekutiv.
Drejtori i përgjithshëm i Honda, Toshihiro Mibe, kishte deklaruar më parë se çdo bashkim do të ndodhte vetëm nëse Nissan përfundonte procesin e rimëkëmbjes.
Në fund, kompanitë nuk ranë dakord mbi rolin e Nissan-it në bashkim – nëse do të ishte partner i barabartë apo një filial i Honda-s.
Sipas Jesper Koll nga Monex Group, një platformë tregtare japoneze, presioni për ta paraqitur këtë marrëveshje si një bashkim i barabartë ishte shumë i lartë.
"Njëra palë dukej se do të merrte drejtimin, dhe kjo mund të ishte problem për tjetrën," tha ai.
Koll gjithashtu vlerësoi se Honda mund të kishte dalë e humbur nga kjo marrëveshje: "Po merr një kompani të shkëlqyer dhe po e ngarkon me barrën e shpëtimit të një partneri në vështirësi."
Çfarë pritet më tej?
Me dështimin e bashkimit, Nissan përballet me një të ardhme të pasigurt.
Megjithatë, një investitor i mundshëm ka dalë në skenë – kompania tajvaneze Foxconn, prodhuesi më i madh në botë i çipave të avancuar kompjuterikë, ka shprehur interes për të blerë aksione të Nissan për një bashkëpunim të mundshëm.
Kryetari i Foxconn, Young Liu, ka deklaruar se kompania është e interesuar të bashkëpunojë me Renault, gjigantin francez të automjeteve, i cili zotëron 36% të aksioneve të Nissan, pas shpëtimit të tij nga falimentimi në vitin 1999.
Renault reagoi pas prishjes së marrëveshjes mes Honda dhe Nissan, duke e quajtur atë "të papranueshme".
Sipas analistit Karl Brauer, çdo marrëveshje e ardhshme për Nissan do të kërkojë një lidership të aftë për të identifikuar dhe zbatuar sinergjitë mes kompanive, si dhe për të menaxhuar sfidat politike dhe kulturore./ BBC
Lini një Përgjigje