Departamenti i Drejtësisë të premten publikoi një grup shumë të madh dokumentesh, të pritura prej kohësh, që detajojnë hetimet e tij ndaj abuzuesit seksual të dënuar Jeffrey Epstein.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm në sagën e gjatë që u shndërrua në një nga goditjet më të mëdha politike që Donald Trump ka pësuar që nga rizgjedhja e tij vitin e kaluar.
Edhe pse pjesë të konsiderueshme të dosjeve janë të redaktuara (të mbuluara), ato që ishin të aksesueshme përfshinin imazhe të Epstein duke u shoqëruar me një sërë figurash të njohura, përfshirë artistë si Michael Jackson, Chris Tucker dhe Diana Ross, si dhe sipërmarrësin Richard Branson.
Bill Clinton shfaqet në disa foto, përfshirë një ku ndodhet në një pishinë së bashku me bashkëpunëtoren e dënuar të Epstein, Ghislaine Maxwell.
Imazhet tregojnë gjithashtu ish-anëtarin e familjes mbretërore britanike Andrew Mountbatten-Windsor.
Një grup tjetër dokumentesh tregonte foto të provave të mbledhura, përfshirë disqe dhe kompjuterë, por nuk zbulonte detaje mbi përmbajtjen e tyre. Gjithashtu kishte një foto të asaj që dukej si një qen brenda një qeseje mbeturinash, e vendosur në një kuti.
Në një letër drejtuar Kongresit, Todd Blanche tha se dokumentet, të cilat datojnë që nga viti 2006, kur Epstein u hetua për akuza për prostitucion të fëmijëve, janë vetëm grupi i parë i atyre që planifikohet të publikohen.
“Vëllimi i materialeve që duhet të shqyrtohen … do të thotë se departamenti duhet t’i publikojë dokumentet përkatëse në mënyrë të vazhdueshme dhe me faza”, shkroi zëvendësprokurori i përgjithshëm në letrën e siguruar nga Fox News.
Ai gjithashtu pranoi se ka një numër të madh redaktimesh, përfshirë fshehjen e të dhënave identifikuese të më shumë se 1,200 viktimave dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
Demokratët në Kongres akuzuan administratën Trump se nuk ka respektuar plotësisht kërkesat e Aktit për Transparencën e Dosjeve Epstein, i cili detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha “regjistrimet, dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore të paklasifikuara” që ka në zotërim lidhur me çështjet e financierit deri më 19 dhjetor.
Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza federale për trafikim seksual të të miturve.
Ligji gjithashtu kërkon që Departamenti i Drejtësisë të publikojë çdo material nga hetimet që lidhet me Ghislaine Maxwell, e cila u shpall fajtore në vitin 2021 për ndihmën e dhënë në trafikimin seksual të vajzave adoleshente nga Epstein dhe u dënua me 20 vjet burg.
“Teknikisht ata nuk janë në përputhje me ligjin,” tha kongresmeni demokrat Ro Khanna, një nga udhëheqësit e përpjekjes për miratimin e këtij legjislacioni.
“Ligji kërkon që të publikohen të gjitha dokumentet që nuk janë të klasifikuara. Ata nuk e kanë bërë këtë. Ligji gjithashtu kërkon që të shpjegohen redaktimet. Ende nuk kam parë nëse e kanë bërë këtë apo jo. Leximi im fillestar është se ka shumë redaktime pa shpjegim,” tha Khanna.
Chuck Schumer, demokrati më i lartë në Senat, i përsëriti këto shqetësime dhe tha në një deklaratë: “Ne do të ndjekim çdo mundësi për t’u siguruar që e vërteta të dalë në dritë.”
Edhe republikani Thomas Massie iu bashkua kritikave, duke shkruar në rrjetet sociale se publikimi i dokumenteve “dështon rëndë në respektimin si të frymës ashtu edhe të shkronjës së ligjit që [Donald Trump] nënshkroi vetëm 30 ditë më parë”.
Abigail Jackson, zëvendëssekretare për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, tha se publikimi i dokumenteve dëshmon se “administrata Trump është më transparentja në histori” dhe se “ka bërë më shumë për viktimat sesa demokratët ndonjëherë”, duke i bërë dosjet publike dhe duke bashkëpunuar me një hetim të veçantë të Kongresit.
Çështja e Epstein ka tërhequr vëmendjen e publikut për vite me radhë dhe ka qenë subjekt i teorive të panumërta konspirative – kryesisht për shkak të lidhjeve të tij me figura të fuqishme dhe të pasura në SHBA dhe jashtë saj, përfshirë edhe Trump.
The Guardian
Lini një Përgjigje