Një kandidat republikan për postin e guvernatorit të Floridës ka ndezur debat të fortë publik pasi ka propozuar vendosjen e një takse 50% mbi të ardhurat e krijuesve të përmbajtjes në OnlyFans, një masë që ai e quan “morale” dhe të nevojshme për shoqërinë.
Bëhet fjalë për James Fishback, i cili ka deklaruar se nëse zgjidhet guvernator, do të shtyjë përpara një të ashtuquajtur “taksë mëkatesh”, që do të aplikohej mbi të gjitha të ardhurat që modelet e OnlyFans gjenerojnë në shtetin e Floridës. Sipas tij, paratë e mbledhura nga kjo taksë do të përdoren për rritjen e pagave të mësuesve dhe përmirësimin e ushqimit në shkolla.
Propozimi ka hasur menjëherë kundërshtim të ashpër nga Sophie Rain, një nga modelet më të njohura dhe më të paguara të OnlyFans, e cila jeton në Florida. Ajo e ka cilësuar idenë si hipokrite dhe të padrejtë, duke theksuar se krijuesit tashmë përballen me një barrë të lartë fiskale.
“Do të duhet të paguajmë 50% për shtetin, përveç 37% që tashmë paguajmë për taksat federale. Nëse korporatat shumë-miliardëshe do të taksoheshin realisht, do ta kuptoja, por kjo nuk po ndodh,” është shprehur Rain.
Nga ana tjetër, Fishback ka vijuar me deklarata të forta, duke akuzuar platformën OnlyFans se, sipas tij, shfrytëzon gratë e reja, ndërsa ka bërë thirrje që kompania dhe krijuesit të largohen nga Florida. Ai ka argumentuar se shumë gra që punojnë në këtë platformë nuk kanë një “zgjedhje reale”, duke përdorur edhe terma psikologjikë për të mbështetur qëndrimin e tij.
Modelja Sophie Rain ka reaguar duke theksuar se për shumë krijues, OnlyFans është një mjet mbijetese ekonomike, sidomos për ata që përballen me vështirësi financiare dhe kanë familje për të mbajtur.
Debati ka marrë përmasa të gjera në rrjetet sociale dhe mediat amerikane, duke rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjen mes politikës, moralit dhe industrisë së përmbajtjes për të rritur./E.K
Burimi: NBC6 South Florida
Lini një Përgjigje