Marrëdhënia që mori vëmendjen e gjithë botës së sportit ka marrë fund. Stefanos Tsitsipas dhe Paula Badosa, çifti më i njohur i tenisit, kanë konfirmuar ndarjen pas muajsh spekulimesh dhe zërash në media.
Thashethemet për krizën mes tyre nisën gjatë Wimbledon-it, kur fansat vunë re një detaj që në ditët e sotme është pothuajse deklaratë zyrtare: dy sportistët nuk ndiqnin më njëri-tjetrin në Instagram. Pak më vonë, Stefanos u eliminua herët nga turneu dhe mungesa e mbështetjes publike nga Badosa ngriti edhe më shumë dyshime.
Tashmë, lajmi është konfirmuar, dyshja ka anuluar pjesëmarrjen e përbashkët në US Open, duke i dhënë fund jo vetëm një lidhjeje personale, por edhe bashkëpunimit në fushë.
Gazeta e njohur spanjolle ¡Hola! ka raportuar ndarjen duke u mbështetur në burime të afërta me çiftin, ndërsa video e publikuar pak javë më parë nga profili zyrtar i US Open, ku ata flisnin plot entuziazëm për bashkëpunimin, duket se është tashmë vetëm kujtim.
“Besoj se është një nga ndjesitë më të bukura të jesh në fushë me Paulin. Patëm disa situata ku luajtëm një kombinim dhe dukej mirë. Ne e shijojmë shoqërinë e njëri-tjetrit në fushë dhe bëjmë diçka të shkëlqyer prej saj”, deklaronte atëherë Tsitsipas, një citim që sot tingëllon krejt ndryshe.
Megjithëse fundi i romancës së tyre mund të ketë zhgënjyer shumë fansa, mbetet për t’u parë nëse karriera e tyre individuale do të marrë një tjetër hov pas kësaj ndarjeje.
Lini një Përgjigje