Dy persona u arrestuan në Nju Jork pasi u ngjitën ilegalisht në majën e antenës së ndërtesës ikonike Empire State Building, në një nga aktet më të guximshme të viteve të fundit.
Bëhet fjalë për çiftin rus të njohur për ngjitjet ekstreme, Angela Nikolau (33 vjeçe) dhe Ivan Beerkus (32 vjeç), të cilët më 1 korrik 2026 arritën deri në pikën më të lartë të ndërtesës, rreth 443 metra mbi tokë, në një zonë që nuk është e hapur për publikun.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se çifti, i veshur me rroba të zeza, shpalosi një banderolë të madhe me mesazhin:
“Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtet, bota njeh paqen.”
Sipas mediave amerikane, policia e Nju Jorkut monitoroi situatën me dronë dhe një helikopter, ndërsa dhjetëra kalimtarë ndoqën me ankth skenën nga poshtë.
Pak pas mesditës, të dy zbritën në një platformë më të ulët pranë antenës së ndërtesës. Aty, Ivan Beerkus u ul në një gju dhe i propozoi për martesë Angela Nikolaus. Ajo pranoi, ndërsa çifti u përqafua dhe u puth në një skenë që u bë menjëherë virale në internet.
Policia e Nju Jorkut (NYPD) konfirmoi se dy personat u morën në paraburgim pa incidente dhe se nuk pati të lënduar.
Mediat amerikane raportojnë se ndaj tyre janë ngritur disa akuza penale, përfshirë: hyrje të paligjshme në pronë dhe rrezikim të jetës së të tjerëve.
Çifti rus nuk është i panjohur për autoritetet dhe publikun. Angela Nikolau dhe Ivan Beerkus janë bërë të famshëm në mbarë botën për ngjitjet e tyre në ndërtesa dhe struktura gjigante në vende të ndryshme, përfshirë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2024, historia e tyre u bë subjekt i dokumentarit të Netflix “Skywalkers: A Love Story”, i cili dokumenton aventurat e tyre, përfshirë ngjitjen në Merdeka 118 në Malajzi, një nga ndërtesat më të larta në botë me lartësi 679 metra.
Fotot e publikuara nga Angela Nikolau në Instagram pas ngjarjes tregojnë momentin e propozimit për martesë dhe unazën e fejesës, ndërsa një tjetër imazh i shfaq të dy duke mbajtur duart mbi panoramën e Nju Jorkut.
Burimi: The Guardian
Lini një Përgjigje