Kanadaja do të debutojë në Eurovision në vitin 2027

1 Korrik 2026, 16:57Lifestyle TEMA
Kanadaja do të debutojë në Eurovision në vitin 2027

Kanadaja do t’i bashkohet zyrtarisht Konkursit të Këngës në Eurovision në vitin 2027, duke u bërë vendi i parë i ri pjesëmarrës që nga hyrja e Australisë në garë në vitin 2015.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) dhe transmetuesi publik kanadez CBC, të cilët konfirmuan se Kanadaja do të dërgojë përfaqësuesin e saj në edicionin e ardhshëm të Eurovisionit, që do të zhvillohet në Bullgari në maj të vitit 2027.

Edhe pse Eurovision konsiderohet një konkurs evropian, pjesëmarrja nuk kufizohet vetëm në vendet e Evropës gjeografike, por është e hapur edhe për anëtarët e EBU-së jashtë kontinentit. Kanadaja iu bashkua organizatës javën e kaluar, duke fituar kështu të drejtën për të marrë pjesë në garë.

Presidentja dhe drejtoresha ekzekutive e CBC-së, Marie-Philippe Bouchard, deklaroi se pjesëmarrja në Eurovision do t’i japë mundësi artistëve kanadezë të prezantohen në një nga skenat muzikore më të njohura në botë.

Ndërkohë, CBC njoftoi se detajet mbi mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesit të Kanadasë do të bëhen publike më vonë gjatë këtij viti.

Kanadaja ka një histori të veçantë me Eurovisionin, pasi disa artistë kanadezë kanë marrë pjesë më parë nën flamuj të tjerë. Rasti më i njohur është ai i Celine Dion, e cila fitoi konkursin në vitin 1988 duke përfaqësuar Zvicrën.

Sipas organizatorëve, Kanadaja renditet prej vitesh ndër vendet me numrin më të madh të votuesve dhe blerësve të biletave jashtë Evropës, çka ka ndikuar në vendimin për zgjerimin e konkursit.

Burimi: Reuters

Lini një Përgjigje