Pas javësh të tëra spekulimesh dhe thashethemeve, Katy Perry dhe Orlando Bloom më në fund e kanë konfirmuar ndarjen e tyre, duke i dhënë fund një marrëdhënieje që kishte nisur në vitin 2016 dhe ishte kurorëzuar me fejesë në Ditën e Shën Valentinit në vitin 2019.
Çifti është gjithashtu prindër i vajzës Daisy Dove, e cila është tashmë katër vjeç.
Pas raportimeve të vazhdueshme për krizën në marrëdhënien e tyre, përfaqësuesit e çiftit konfirmuan për DailyMail se: “Orlando dhe Katy kanë ndryshuar dinamikën e marrëdhënies së tyre përgjatë muajve të fundit për t’u përqendruar në bashkëprindërimin e vajzës. Ata do të vazhdojnë të shfaqen së bashku si familje, pasi prioriteti i tyre i përbashkët ka qenë dhe do të mbetet rritja e Daisy-t me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë”.
Ndarja u bë edhe më e dukshme kur Orlando, 48 vjeç, u shfaq i vetëm në dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez në Venecia, ndërsa Katy ndodhej në Australi në kuadër të turneut të saj.
Orlando publikoi disa postime misterioze në rrjetet sociale, ku përmendte vetminë dhe errësirën, ndërsa Katy u pa teksa përlotet në skenë gjatë një koncerti në Australi, vetëm pak ditë pasi lajmi për ndarjen u bë publik.
Një burim për Us Weekly më herët kishte thënë se: “Katy dhe Orlando janë ndarë, por marrëdhënia mes tyre mbetet miqësore. Nuk ka pasur përplasje të ashpra ndarja ka qenë relativisht e qetë”.
Burimi shtoi gjithashtu se ndonëse Katy është e mërzitur, ajo ndihet e lehtësuar që nuk i duhet të kalojë një tjetër divorc, duke kujtuar ndarjen e saj nga aktori Russell Brand në vitin 2012.
Thuhet se kriza në marrëdhënien e tyre kishte kohë që ishte duke u ndërtuar, dhe turneu muzikor i Katy-t, “Lifetimes Tour”, ka shtuar më shumë distancë mes tyre.
Ndërkohë që Orlando shijonte ditë feste në dasmën e Bezos dhe më pas në një lundrim luksoz në jahtin “Luminara”, ai u pa edhe në shoqërinë e Vittoria Ceretti, e dashura aktuale e Leonardo DiCaprios, gjatë një udhëtimi me taksi ujore në Venecia.
Nga ana tjetër, Katy e cila ishte më parë pjesë e misionit hapësinor të Jeff Bezos me anëtare femra dhe mysafire në beqarinë e Lauren Sánchez në Paris mungoi në dasmë, me arsyetimin se kishte angazhime në Australi për shkak të turneut të saj.
Lini një Përgjigje