Katër persona, mes tyre dy shtetas belgë, një vietnamez dhe një kenian, janë arrestuar në Kenia pasi u kapën duke tentuar të kontrabandojnë qindra milingona të rralla dhe shumë të kërkuara nga tregjet ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve lokale, bëhet fjalë për milingona gjigante afrikane të llojit Cephalotes, të cilat vlerësohen deri në 200 euro për copë nga koleksionistët dhe tregtarët e kafshëve ekzotike në Evropë dhe Azi.
Kontrabandistët kishin përdorur metoda të sofistikuara për të fshehur insektet, duke i vendosur ato në epruveta dhe shiringa të modifikuara në mënyrë që të mund të mbijetonin deri në dy muaj gjatë transportit. Ata kishin tentuar të kalonin pa u diktuar nga sistemet e sigurisë në aeroport.
Megjithëse numri i saktë i milingonave të kapura nuk është bërë ende i ditur, autoritetet në Kenia e kanë cilësuar këtë si një nga rastet më serioze të këtij lloji.
Një përfaqësues i Shërbimit të Kafshëve të Egra të Kenias (KWS) tha për BBC se kërkesa për insekte të rralla është në rritje, me shumë koleksionistë që i mbajnë ato në ambiente të posaçme për të zhvilluar koloni.
Në Kenia, milingonat janë të mbrojtura me ligj sipas traktateve ndërkombëtare për ruajtjen e biodiversitetit, dhe çdo lloj tregtie me to është e ndaluar rreptësisht.
Lini një Përgjigje