Leonie von Ungern-Sternberg ka folur hapur në TikTok për historinë e familjes së saj, përfshirë edhe një të afërm të largët të njohur si “Baroni i Përgjakur”.
Leonie von Ungern-Sternberg u bë e njohur në rrjetet sociale duke treguar historinë e familjes së saj, të mirat dhe të këqijat. Tani ajo është gati të flasë për pjesën tjetër të jetës së saj.
Kur mendoni për një baroneshë, ju vijnë ndër mend imazhe si Baroness Elsa Schraeder, e fejuara e Kapiten von Trapp në “The Sound of Music”, ose princesha Catherine, që mban titullin Baronesha e Carrickfergus.
Leonie von Ungern-Sternberg, pasardhëse e një familjeje gjermane 900-vjeçare që ka mbajtur titujt e baronëve për shekuj, dëshiron ta ndryshojë këtë perceptim.
29-vjeçarja, që është drejt përfundimit të studimeve për M.B.A. në Universitetin IE në Madrid, është bërë e njohur në TikTok me serinë “Ditari i Baroneshës Milleniale”. Ajo u përgjigjet pyetjeve për prejardhjen aristokratike, fëmijërinë dhe madje edhe për një princ, të cilin, sipas saj i është dashur ta bllokojë pas një flirtimi tepër ngulmues. (“Morali i historisë: princat mund të jenë edhe bretkosa,” ka thënë me humor.)
Megjithëse mban një titull fisnik, Leonie thotë se sot “është thjesht një emër”.
“Nuk kam prona. Vij nga një familje e vjetër, diçka për të cilën jam e vetëdijshme, por jo diçka që më përcakton.”
Në TikTok, ajo përpiqet të shpjegojë si është në të vërtetë jeta e një të linduri fisnik: plot privilegje dhe qasje në rrethe ekskluzive, por jo gjithmonë me jahte luksoze në Saint-Tropez.
“Motivimi im është të demokratizoj dijen,” thotë ajo. “Dikur ka pasur shumë sekrete rreth kulturës, që nga gjuha, eleganca, edukimi, deri te vetëbesimi. Unë i kam mësuar këto që herët, në shkollat private, në konvikt, në darka diplomatike… dhe dua t’i ndaj, sepse besoj se kjo dije nuk duhet të jetë ekskluzive.”
Ajo është rritur në shkolla ndërkombëtare në Dubai dhe Kajro dhe u diplomua në gjimnazin gjerman Stiftung Louisenlund në vitin 2016. Flet gjermanisht, anglisht, spanjisht dhe pak arabisht dhe ka njohuri në art, muzikë klasike, letërsi e filozofi.
Edhe pse shumë mendojnë se jeta e saj ka qenë aristokratike nga fillimi, ajo thotë se është rritur më thjesht nga sa supozohet dhe ka punuar që në moshën 18-vjeçare.
Leonie lindi në Gjermani, jeton në Madrid dhe është në një marrëdhënie me një djalë nga Mexico City.
“E kam ndjerë gjithnjë privilegjin me të cilin jam rritur dhe kur sheh kontraste të mëdha të pasurisë dhe vështirësive brenda së njëjtës ditë, nuk e romantizon më,” thotë ajo.
Në videot e saj, ajo jep këshilla stili, rekomandime librash, tregon si ka mësuar gjuhët dhe si të ndërtosh vetëbesim. 70% e audiencës së saj janë gra, kryesisht nga SHBA dhe i bëjnë shumë pyetje, të cilave ajo rrallëherë iu shmanget.
Verën e kaluar, dikush përmendi të afërmin e saj të largët, Roman von Ungern-Sternberg, një nacionalist rus i fillim-shekullit XX, i njohur si “Baroni i Përgjakur” për mizoritë e tij. Leonie nuk u tërhoq.
“Po, jam e afërme e ‘mbretit’ të fundit të Mongolisë,” tha ajo, përpara se të tregonte një histori të shkurtër rreth sundimit të tij.
Në një tjetër video, ajo tregoi historinë e trishtë të stërgjyshërve të saj, të cilët, sipas saj, ndihmuan miq hebrenj të fshiheshin dhe të largoheshin nga Gjermania gjatë nazizmit. Kur u tradhtuan nga shërbyesja e tyre pro-naziste, ata u vetëvranë; ndërsa gjyshi i saj, atëherë 16 vjeç, u detyrua të arratisej në Skoci vetëm me një çantë shpine, teksa nazistët i konfiskuan pronën.
Kohët e fundit, ajo ka filluar të ndajë përmbajtje më tipike të influencerëve: rutinën e kujdesit të lëkurës, parfumet e preferuara, interesat në muzikë klasike, libra, stil personal dhe etikën e inteligjencës artificiale për të cilën ka shkruar edhe në Substack.
Ajo ka folur edhe për jetën personale, për marrëdhënien me të dashurin që vjen nga një familje jo-aristokrate në Meksikë, si dhe për mendimet e saj mbi fenë. Familja e mbështet, edhe pse nuk e kupton gjithmonë dëshirën e saj për të ndarë kaq shumë gjëra publikisht.
Në një video të fundit, ajo tregoi se ka luftuar me një çrregullim ushqimor. “Mami dhe motra më telefonuan duke qarë dhe më thanë: Leonie, kjo është shumë e guximshme, por ki kujdes sepse po bëhesh shumë vulnerabël.”
Megjithatë, sinqeriteti i saj, duke thyer rregullin numër një të aristokracisë: “mos fol kurrë hapur për aristokracinë” i ka sjellë shumë simpatizantë, edhe në një kohë kur brezat e rinj janë gjithnjë e më skeptikë ndaj super të pasurve.
Ajo këtë muaj përfundon M.B.A.-në dhe, edhe pse ka shumë plane, nuk është e sigurt çfarë do të bëjë më pas. Do të donte të ndiqte një doktoraturë në etikën e inteligjencës artificiale, por nuk ka më kursime, pasi biznesi i kushtoi shumë.
Aktualisht po aplikon për punë dhe po shkruan një libër që e quan “një manifest për rilindjen e kulturës”.
Dhe sigurisht, vazhdon të bëjë video në TikTok.
“Nuk e kisha planifikuar kurrë këtë,” thotë ajo. “As nuk e kisha imagjinuar se do të merresha ndonjëherë me këtë gjë.”/ Newsweek
excellent , ???? ???? .