Një projekt i pazakontë i manjatit gjermano-austriak Wolfgang Porsche ka tronditur qytetin e qetë të Salzburgut. Trashëgimtari i kompanisë së famshme të automobilave Porsche ka marrë lejen për të ndërtuar një tunel privat nëntokësor, që do të lidhë rezidencën e tij luksoze me qendrën historike të qytetit.
Ky projekt, me një kosto prej miliona eurosh, ka ngjallur reagime të forta mes banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, të cilët e cilësojnë një “simbol të arrogancës së pasurisë” dhe një ndërhyrje të panevojshme në një zonë me rëndësi historike.
Sipas “The Guardian”, tuneli do të nisë nga vila e Porsche-s, e ndodhur pranë ish-shtëpisë së shkrimtarit të njohur Stefan Zweig, dhe do të përshkojë një pjesë të ndjeshme të nëntokës së qytetit për të krijuar një dalje private drejt qendrës. Sipas dokumenteve të paraqitura, qëllimi i tunelit është “lehtësimi i qarkullimit” dhe “ruajtja e privatësisë”, por për shumë banorë kjo është vetëm një mënyrë për të shmangur rrugët publike dhe kufizimet urbanistike.
Projektit i është dhënë drita jeshile nga autoritetet lokale, të cilat pretendojnë se ai i përmbush standardet teknike dhe mjedisore, megjithëse ekspertët kanë ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë në strukturën e ndërtesave historike të Salzburgut, që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s./E.K
Burimi:The Guardian
Lini një Përgjigje