Një tjetër kompani ajrore me kosto të ulët ka shpallur falimentin, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar. Bëhet fjalë për linjën islandeze Play Airlines, e cila më 29 shtator njoftoi ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha operacioneve.
“Fly PLAY hf. ka ndërprerë operacionet dhe të gjitha fluturimet janë anuluar. Ju këshillojmë të kontrolloni opsione të tjera me kompani të ndryshme ajrore. Disa prej tyre mund të ofrojnë tarifa shpëtimi,” thuhej në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Sipas zëdhënësit të aeroportit të Keflavikut, rreth 1,750 pasagjerë u prekën menjëherë nga anulimet, ndërsa mbi 500 punonjës mbetën pa punë. Fluturime drejt destinacioneve si Baltimore, Barcelona dhe Lisbona u anuluan, ashtu si edhe linjat drejt Reykjavikut nga Parisi, Londra dhe Kopenhaga.
Play, e themeluar në vitin 2021 pas falimentimit të WOW Air, operonte me një flotë prej 10 avionësh dhe ofronte fluturime në 42 destinacione në Europë, SHBA dhe Kanada. Vetëm në vitin 2024 kompania kishte transportuar 1.6 milion pasagjerë.
Megjithatë, raportet financiare kishin paralajmëruar për vështirësi ekonomike dhe rezultate “nën standard”, duke çuar përfundimisht në mbylljen e papritur./ E.K
Burimi: People
Lini një Përgjigje