Një profil i një rabini që kishte arritur të grumbullonte mbi 100 mijë ndjekës në rrjetet sociale ka rezultuar të jetë i krijuar plotësisht nga Inteligjenca Artificiale, duke ndezur debat të fortë në Izrael për transparencën dhe rreziqet e manipulimit digjital.
Profili, i quajtur Rabbi Menachem Goldberg, publikonte video motivuese dhe mesazhe frymëzuese për suksesin, pasurinë dhe zhvillimin shpirtëror. Me një paraqitje të kuruar deri në detaje dhe një ton të qetë komunikimi, “rabini” dukej si një figurë reale dhe frymëzuese për ndjekësit.
Në përmbajtje shpesh promovoheshin libra elektronikë dhe guida për rritje personale, gjë që filloi të ngrejë dyshime te përdoruesit. Sipas raportimeve, një gazetar i medias izraelite “Maariv” vuri re mospërputhje në videot dhe stilin e publikimeve, duke çuar në zbulimin se personazhi nuk ekzistonte në të vërtetë.
Ekspozimi i këtij rasti ka hapur diskutime të gjera në Izrael për fuqinë e Inteligjencës Artificiale në krijimin e identiteteve bindëse dhe për nevojën e rregullave më të qarta mbi transparencën e përmbajtjeve të gjeneruara.
Pas zbulimit, organizata dhe institucione që merren me etikën kanë bërë thirrje që publiku të informohet qartë kur përmbajtja krijohet nga AI, për të shmangur keqinformimin dhe manipulimin e audiencës.
Burimi: Maariv, Jerusalem Post
Lini një Përgjigje