Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka zbuluar arsyet që e shtynë të kryente krioprezervimin e vezëve në një moshë të re, duke theksuar se vendimi erdhi pas këshillës së mjekut dhe për shkak të përvojës së vështirë shëndetësore të nënës së saj.
Në një intervistë për revistën “Women’s Health UK”, artistja 35-vjeçare rrëfeu se iu nënshtrua dy procedurave të ngrirjes së vezëve, përkatësisht në moshën 24 dhe 27 vjeç. Sipas saj, mjeku i kishte sugjeruar se ajo ishte periudha ideale për të ruajtur cilësinë më të mirë të mundshme të vezëve për të ardhmen.
“Një mjek më tha se ishte momenti i duhur për të ruajtur cilësinë më të mirë të vezëve. Ishte këshilla më e mirë që mund të merrja, sepse tani që jam në mesin e të tridhjetave kam shumë miq që po përpiqen të gjejnë zgjidhje për këtë çështje”, u shpreh këngëtarja.
Rita theksoi se vendimi i saj u ndikua edhe nga historia shëndetësore e nënës së saj. Nëna e artistes u diagnostikua me kancer gjiri në vitin 2005, kur ishte vetëm 39 vjeç, ndërsa trajtimi që mori i shkaktoi menopauzë të hershme.
Kjo përvojë, sipas saj, e bëri të ishte më e kujdesshme dhe më e ndërgjegjshme për shëndetin e saj dhe për planifikimin e së ardhmes.
“Jam shumë e fokusuar te jetëgjatësia dhe mendoj se kjo nisi kur nëna ime u sëmur. Trajtimi i saj shkaktoi menopauzë të hershme, ndaj përpiqem gjithmonë të jem një hap përpara dhe të mësoj sa më shumë për shëndetin tim”, tregoi ajo.
Artistja kujtoi gjithashtu se diagnoza e nënës kishte ndikuar shumë tek ajo gjatë viteve të adoleshencës, duke bërë që shpesh të përjetonte ankth dhe frikë për skenarët më të këqij.
Duke folur për jetën personale, Rita Ora u ndal edhe te planet për të krijuar familje. Ajo tha se do të dëshironte të kishte një fëmijë me bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, me të cilin u martua në vitin 2022.
Sipas këngëtares, kur të vijë momenti i duhur, krijimi i një familjeje do të jetë një hap i natyrshëm dhe i shumëdëshiruar në jetën e tyre.
Kush e ka bere e para kjo apo Bleona? Bravo lajmet per VIP tane qe brine vezet per te ardhmen e ndriture.