Të dielën mbrëma, më 26 tetor, “Vogue World 2025” ndezi dritat e Hollywood-it duke u shndërruar në një nga ngjarjet më madhështore të vitit. Sheshi legjendar i Paramount Pictures u transformua në një skenë gjigante ku eleganca dhe arti u bashkuan në një spektakël të paharrueshëm.
Nicole Kidman, Miley Cyrus dhe Gwyneth Paltrow ishin ndër të parat që ndezën tapetin e kuq me paraqitjet e tyre mahnitëse, duke e kthyer mbrëmjen në një paradë yjesh dhe mode.
Ky ishte edicioni i katërt i “Vogue World”, i cili këtë herë la pas Parisin për të mbërritur në zemrën e industrisë së filmit, Los Angeles-in. Tema e këtij viti, “Hollywood Glam”, ishte një homazh për lidhjen e pandarë midis modës dhe kinemasë. Aktorë dhe modele ecën krah për krah në pasarela të frymëzuara nga filmat ikonë, ndërsa markat më prestigjioze si Louis Vuitton, Valentino, Balmain, Alexander McQueen dhe Miu Miu prezantuan krijimet e tyre më të reja.
Në prapaskenë qëndronin figura të njohura si Anna Wintour dhe dizajneri Nicolas Ghesquière, ndërsa drejtimin artistik e mbajti regjisori fitues i çmimeve Emmy dhe Grammy, Mark A. Ritchie.
Eventi u transmetua drejtpërdrejt në Vogue.com, duke mbledhur miliona ndjekës në mbarë botën. Për shumë të pranishëm, “Vogue World 2025” nuk ishte thjesht një sfilatë, por një përjetim unik ku muzika, arti dhe kultura pop u bashkuan në një skenë të vetme./ Vogue
Fotot: Getty Images
Lini një Përgjigje