
Drejtues të katër partive të reja politike debatuan mbrëmë në “Opinion”, jo për idetë, as për alternativat, por për mënyrën se si këto forca të reja politike pasqyrohen nga media në Shqipëri. Si një ankesë e hershme e tyre, partitë e reja ndoshta nuk e kanë kuptuar ende se realiteti mediatik në Shqipëri është i lidhur me fije të forta dhe të pazgjidhshme me politikën, biznesin dhe pushtetin. Ndaj të pretendosh nga media në Shqipëri të sillet si media franceze psh më shumë se naivitet mund të konsiderohet një strategji viktimizimi politik në fushatën e sapo nisur.
Aq më tepër kur, me të mirat dhe të këqijat e saj, të katër personazhet e mbrëmshëm – Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Agron Shehaj dhe Arlind Qori – janë promovuar së pari nga media tradicionale dhe më pas kanë korrur sukses edhe në rrjetet sociale. Për këtë arsye agresiviteti i Arlind Qorit ndaj emisionit “Opinion”, më shumë se rebelim apo denoncim, ishte një taktikë e qartë për të fituar betejën e protagonizmit me tre të ftuarit e tjerë. Duke sulmuar Blendi Fevziun në studion e tij dhe Samir Manen në godinën e TV Klan, automatikisht ai u konsiderua si një personazh “ndryshe” nga ata që shfaqen çdo natë në studion e këtij emisioni. Por, a po përdor Arlind Qori standard të dyfishtë në këtë qasje? A janë po kaq oligarkike dhe përfituese edhe interesat e televizioneve që i japin atij hapësirë? Apo ndoshta është e nevojshme që dikush t’i tregojë se asnjë televizion privat në Shqipëri nuk ka mundësi të mbijetoje me biznesin e reklamave, në rast se në mes nuk ndërhyjnë interesa biznesi të lidhura me pushtetin e radhës.
Po kaq e pakuptimtë ishte dhe sjellja në kufijtë e servilitetit e Adriatik Lapajt, i cili, duke përsëritur me zë të lartë refrenin e tij populist, nuk i dha përgjigje pyetjes së thjeshtë: në rast se interesi për të rrëzuar Ramën është kaq i madh, atëherë çfarë i pengon këto forca politike të bashkohen në një front? Te njëjtës pyetje nuk iu përgjigj dot as Agron Shehaj, i cili gjithashtu ka qenë i ftuar shpesh në emisionin “Opinion”.
Pas zallamahisë dhe zhurmës mes Blendi Fevziut dhe Arlind Qorit, që duhet pranuar se nisën si qejfmbetje dhe replika të sinqerta dhe përfunduan si teatër për të vjelë klikime dhe audiencë, ajo që mbeti nga një debati i mbrëmshëm ishte kakofonia e ideve, qëndrimeve dhe alternativave mes 4 të ftuarve. Arlind Qori ishte i vetmi që ja doli mbrëmë që me strategjinë e menduar mirë të qasej ndryshe nga tre të tjerët ulur në krah të tij. Duke sulmuar drejtuesin e emisionit, duke përmendur emra të përveçëm oligarkësh ai mundi të zotërojë narrativën politike të programit. Në fakt, mund t’i kishte mjaftuar vetëm fakti që partia që ai drejton është e vetmja forcë politike me ideologji të qartë në tregun e ri politik. Tre të tjerët në krah të tij përfaqësojnë për momentin një përzierje marketingu politik dhe populizmi, që dallojnë nga njëra tjetra vetëm nga mënyra se si organizojnë takimet me qytetarët dhe shpenzimet.
Përballë kësaj varfërie idesh dhe qëndrimesh, gjuha agresive e Arlind Qorit sigurisht që merr më shumë vëmendje dhe mbështetje nga një publik që, i lodhur me origjinalin, vështirë të duartrokasë kopjet. Zoti Qori kaloi mbrëmë natën e “lavdishme” mediatike që ai e kishte kërkuar me ngulm për kaq muaj. Por nga klikimet, mbështetja online apo populizmi mediatik deri tek dita kur do të hidhet vota në kuti ka një rrugë të gjatë, të cilën katër drejtuesit e forcave të reja politike e kanë nisur jo me të njëjtin hap apo forcë për ta vazhduar deri në fund. Me gjithë përpjeket e tyre një gjë është e sigurt. Në 11 maj, shqiptarët do të duan të zgjedhin një alternativë bindëse, dhe jo kopjet e premtimeve dhe politikës 33-vjeçare. Boll të lodhur janë me origjinalin./VNA/
Nuk jane te rinj.....jane Zagare te ndonje Vampiri.
Prandaj jeni trembur ju sahanlepiresit? Se po u iken kocka e shpifjeve! Ytt
Qe kir fillon shkrimi dhe mer si shembull reference lirine e mediave franceze kemi te bejme me nje « analize » provinciale te nje diletanti te periudhes komuniste ku çdo gje oksidentale kôsiderohet si autoritet i demokracise! Mediat ne France po jo vetem jane ne duart e miliardereve franceze, Rodolphe Saade, Xavier Niel, Vincent Bolore, Lagardere, Dasault, Draghi…te cilet i perdorin per interesat e bizneseve te tyre e jo per informimin objektiv te populit te thjeshte. Demokracia qe shitet ne perendim eshte thjesht nje illusion…
Vini, po meqense demokracia qe shitet ne perendim eshte thjeshte iluzion, pa na thuaj ku ka demokraci tjeter me te mire dhe sa llojesh eshte demokracia?! Turfulloni kot se kapitaizmi nje eshte; vodhi ca gjera nga socializmi qe te duket i mire, por miljarderet te presen koken sot dhe te mbyllen gojen. Njerezit tallen me veten e tyre. "Ngrehuni dhe bjeuruni, katundare e punetore qe nga Shkodra gjer ne Vlore..."