Burri dogji me benzinë gruan në Korçë, reagon ministri Hoxha: Akt i papranueshëm, dhuna në familje kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet

1 Shtator 2024, 14:40Politika TEMA
Burri dogji me benzinë gruan në Korçë, reagon ministri

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e së shtunës në Korçë, ku burri dogji me benzinë gruan e tij.

Në reagimin e tij, Hoxha thekson se dhuna në familje është ende një problem që nuk mund të injorohet dhe që kërkon reagim nga institucionet përgjegjëse.


“Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Korçë, ku një bashkëshort në proces divorci, tentoi të djegë me benzinë gruan e tij, është një akt i papranueshëm që na kujton se dhuna në familje është ende një problem që nuk mund të injorohet e që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe nga e gjithë shoqëria.

Ngjarje të tilla janë një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe një apel i fortë për të siguruar mbrojtje më të fuqishme për të gjithë ata që vuajnë nga dhuna në familje, sidomos për të miturit, vajzat dhe gratë.

Jam i bindur se, për të parandaluar dhe trajtuar raste të tilla nuk mjafton vetëm reagimi i institucioneve përkatëse, por dhe solidariteti e sensibilizimi i shoqërisë tonë, në mënyrë që askush të mos i nënshtrohet një trajtimi të tillë të papranueshëm, si rasti i Korçës.

Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dhunës në familje dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, për t’u siguruar që ata, të cilët kryejnë këto akte, të përballen me pasojat e veprimeve të tyre, ashtu siç do të përballet dhe autori i ngjarjes së djeshme!

Si ministër i Brendshëm shpreh mbështetjen time më të madhe për viktimat e dhunës në familje dhe angazhimin tim për të punuar parreshtur për një shoqëri, ku secili të ndjehet i ndjehet i sigurt dhe i respektuar.

Duke i uruar shërim sa më të shpejtë zonjës – viktimë e dhunës në familje dje në Korçë – shpreh angazhimin tim për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes dhe mbështetjes së duhur për viktimat si ajo, dhe ftoj edhe institucionet e tjera përgjegjëse të veprojnë shpejt e në përputhje me politikat e qeverisë sonë për luftën ndaj dhunës në familje”, shprehet ministri Hoxha.

1 Komente

  1. Z
    Ziu

    Kta me bejne te qesh....a jane kta institucionet. Karagiale do bente comedian super ne kete kohe.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje