Nisma e re kombëtare për "Shqipërinë 2030", Rama mbledh sot deputetët e ministrat në Kryesinë e Kuvendit

7 Maj 2024, 09:04Politika TEMA
Nisma e re kombëtare për "Shqipërinë 2030", Rama

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në Kryesinë e Kuvendit ministrat dhe deputetët e grupit parlamentar.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00, ndërsa fjala e kryeministrit përballë tyre si kurrë më parë në takime të ngjashme, do të jetë e hapur për mediat.

Vetë Rama ka zbuluar shumë pak nga ky takim në një postim në Facebook një ditë më parë, kur shkroi se do të prezantojë një nismë të re për Shqipërinë 2030.


“Partia Socialiste, qeverisja, ligji, korrupsioni dhe një Nismë e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030. Adresim për Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar”, shkroi Rama.

Deputetëve u është kërkuar që të mos ketë mungesa, ndërsa 30 minuta para takimit me ta, kryeministri ka planifikuar edhe një mbledhje me kryetarët e komisioneve që drejtohen nga përfaqësues të partisë socialiste.


Çështjet e aktualitetit politik, apo ato që kanë të bëjnë me drejtësinë në kohën kur shumë eksponentë të majtë e të djathë po i drejtohen dyerve të SPAK të dyshuar për korrupsion dhe abuzime me funksionet publike, mund të jenë gjithashtu në fokus të fjalës së tij.

Për këtë Rama ka kërkuar që në Administratën shtetërore të bëhet një reformim i thellë, madje duke krijuar një ministri të Posaçme për Administratën Publike dhe Antikorrupsuonin në fillim të këtij viti, me në krye Adea Pirdenin.

Lini një Përgjigje