
Partia Demokratike zgjedh nesër kreun e partisë në një proces që do të nisë në mëngjes dhe do të zhvillohet në të gjitha qytetet e vendit. Kjo tregon se struktura e PD-së i ka rezistuar fort agresionit të foltores për dy vite. Votimet bëhen në pjesën më të madhe në selitë e partisë, e në disa qytetet ato zhvillohen në ambjente të tjera. Tregues për të parë se çfarë dhe ku foltorja ka zaptuar zyrat e PD-së.
Ndërkaq, zëdhënësja e grupit parlamentar Oriola Pampuri ka ftuar anëtarësinë që të votojë masivisht, ndërsa anëtari i komisionit zgjedhor Gazmend Koduzi, ka barë të ditur rregullat e votimit.
Deklarata e Koduzit
Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike!
Nesër, në datën 29 Korrik 2023, pas një muaji takime me demokratët të kandidatëve, do të kryhet votimi për Kryetarin e Partisë Demokratike.
•Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
•Informacionin për qendrat e votimit mund ta gjeni pranë Degëve përkatëse ose online në faqen zyrtare të Partisë Demokratike.
•Është i ftuar të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e Partisë, çdo anëtar i Partisë Demokratike
•Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së
Votuesve.
•Nuk lejohet fotografimi apo çdo formë tjetër e dokumentimit të mënyrës së votimit.
•Votimi mbyllet në orarin e përcaktuar, duke u siguruar që në ambientet e QV nuk ka anëtarë që pret për të votuar. Nëse ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej orarit të caktuar për mbylljen e qendrës së votimit, Kryetari i Komisionit mbledh dokumentet e tyre të identifikimit dhe sigurohet që kushdo që është në rradhë për të votuar të ketë mundësi për të votuar.
•Procesi i Numërimit të votave fillon jo më vonë se 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit.
•Numërimi bëhet në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe veshguesve te kandidateve dhe është i hapur për mediat dhe për anëtarësinë e interesuar.
•Në përfundim të procesit të Numërimit, Komisioni i Votimit dhe Numërimit, harton procesverbalin e procesit të votimit dhe numërimit.
Edhe njëherë ju bëjmë thirrje demokratëve të marrin pjesë në votim, dhe sigurojmë që asnjë anëtar i Partisë Demokratike nuk do të ngelë pa shprehur vullnetin e tij.
Nesër është një ditë e rëndësishme për demokratët. Partia Demokratike nis ringritjen dhe riorganizimin e saj, për tu kthyer në shpresën dhe alternativën që presin dhe meritojnë shqiptarët.
Ju faleminderit !


Lini një Përgjigje