Pjesëmarrja, as 19 përqind. Publikohet grupmosha e votuesve, interesi i të rinjve, shumë i ulët

9 Nëntor 2025, 19:45Politika TEMA
Pjesëmarrja, as 19 përqind. Publikohet grupmosha e votuesve, interesi

Shqipëria zhvilloi sot zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki, ku 13 kandidatë garuan për të marrë drejtimin e Vlorës, Beratit, Matit, Cërrikut e Tepelenës. Përpos fushatës atipike, ku nga dy partitë kryesore PD e PS nuk zhvillua asnjë miting elektoral, procesi i votimi u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e ulët, ndërsa moti i keq nuk favorizoi as votuesit.

Qytetarët iu drejtuan kutive të votimit që prej orës 07:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 kur u mbyll zyrtarisht procesi i votimit. Nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote, sipas të dhënave të KQZ deri në orën 18:00 kur janë raportuar 352 QV nga 472, vetëm 46 696 qytetarë ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, ose 18.72% e zgjedhësve.

Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, dhe bashkia me numrin më të ulët të pjesëmarrjes ishte Vlora me 12.54% .Në 3 bashkitë e tjera u raportua kjo pjesëmarrje, Tepelena 34.63%, Cërriku 25%, Berati 19.98%.

Për herë të parë, KQZ ka pasqyruar edhe të dhënat e grupmoshës, ku vihet re se më të interesuarit për të marrë pjesë në votim ishim grupmosha plus 65 vjeç. Interesi i të rinjve ishte shumë i ulët.

Procesi i votimit ishte i qetë, me probleme sporadike. Vetëm 19% e qendrave u hapën me pak vonesë, ndërsa në 3 QV pati probleme me mungesën e komisionerëve të PD, por situata u zgjidh. Në të gjitha qendrat u aplikua identifikimi elektronik.

Në Mat, deputetja e PD, Denisa Vata hodhi akuza se po intimidoheshin zgjedhësit, por kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se u bënë të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se nuk ka pasur as pretendime nga partitë për shkelje. Edhe në Cërrik, Policia e Shtetit përgënjeshtroi pretendimet e kandidatit të Shqipëria Bëhet, Eligert Hima se po intimidohen zgjedhësit.

Shqipëria Bëhet ka raportuar edhe për votim familjar në qendrën e votimit në Selvias në Cërrik. Kryetari i Komisionit ka thënë për Report TV se gruaja në pamundësi të votuar, ka thirrur bashkëshortin te kutia dhe në atë moment vëzhguesi e ka fotografuar. Rasti është referuar në KQZ dhe KZAZ. Por pavarësisht pretendimit të vëzhguesit së Nismës Shqipëria Bëhet, votimi nuk është ndërprerë.

Për herë të parë, në bashkinë e Tepelenës, do të aplikohet si test inteligjenca artificiale në numërimin e votave. Rezultati do të transmetohet online dhe do të ballafaqohet me numërimin manual të komisionerëve.

Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

3 Komente

  1. E
    Emigranti SHBA

    Po çështë kjo vërejtje për votim familjar..... Votimi familjar bhet në të gjithë botën. As në SHBA nuk ndalohet votimi familjar. Bile ketu familjarisht votoher dhe ashtu hyjnë në dhomën e fshehtë.

    Përgjigjjuni
    1. U
      USA citizen

      Tranzicioni vdiq.

      Përgjigjjuni
      1. A
        AS

        Kjo pjesmarrje eshte turp per politiken ne Shqiperi. I kane deziluzionuar njerzit. Tregon qe besimi tek politika eshte 000000000000000000000000000000000000.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje