Porti i Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e opozitës

16 Qershor 2023, 17:52Politika TEMA

Porti i Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Me vendimin e marrë këtë të premte, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kështu, nuk do të ketë më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit të marinës.

Grupi i deputetëve kërkoi në padinë mbi 40 faqe, që të pezullohej zbatimi i atij ligji, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, sepse, sipas tyre, është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.

Kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga Oerd Bylykbashi përfaqësues i Partisë Demokratike, pas dyshimeve për korrupsion me planet për ndërtimin e Portit të Durrësit, të cilat, sipas tij, po miratohen pa transparencë dhe pa konkurrime të hapura.

Ligji ratifikues i marrëveshjes bazë me fuqi 10 vjeçare parashikon një seri lehtësirash bazuar në marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve mes dy vendeve.

Marrëveshja flet për një fushë të gjerë bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm. Ajo u miratua nga qeveria në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe brenda një jave u miratua në Kuvend me 91 vota pro, 5 kundër e 4 abstenim, në kohën kur Partia Demokratike braktisi institucionin ligjvënës dhe u përpoq të digjte mandatet e deputetëve të saj.

Sipas qeverisë shqiptare, investimi për ndërtimin e Portit të Durrësit parashikohet të shkojë në 2 miliardë dollarë, por opozita dyshon për një aferë korruptive të përmasave të mëdha.

Marrëveshja u nënshkrua më 11 gusht mes palëve dhe qeveria e solli në Kuvend, ku u prit me kritika e dyshime nga opozita, sapo u mësua se ajo po futej në procedurë të përshpejtuar.

Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite.

2 Komente

  1. E
    Eri

    Gjykata Kushtetuse e di qe nje ligj nderkombetar mbizoteron ndaj nje ligji vendas? Jam kurioz si e kane arsyetuar.

    Përgjigjjuni
    1. D
      DikManJaku

      3 vjet iken. Edhe 17 kane ngel.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje