Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u zhvillua diskutimi mbi propozimin ligjor për portet strategjike turistike, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti shqetësime të forta mbi përmbajtjen dhe pasojat e këtij projektligji, duke e cilësuar atë si “ligjin e 18-të special” që kalon në Kuvend për interesa të ngushta dhe jo në funksion të qytetarëve.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Tabaku rikujtoi se ligji për investimet strategjike ka qenë prej kohësh objekt kritikash dhe amendimesh nga ana e saj, me qëllim përafrimin e tij me standardet e shtetit ligjor dhe procesit të integrimit europian. Ajo theksoi se vetë qeveria shqiptare është angazhuar ta pezullojë këtë ligj për shkak të problematikave që krijon në raport me Bashkimin Europian, ndërsa sot, sipas saj, po tentohet të zgjerohet e njëjta logjikë përmes dhënies së porteve strategjike pa garë.
Sipas Tabakut, projektligji bie ndesh drejtpërdrejt me tre kapituj kyç të negociatave me BE-në. Në Kapitullin 5 për Prokurimin Publik, ai eliminon procedurat konkurruese dhe transparente; në Kapitullin 8 për Politikën e Konkurrencës, krijon avantazhe selektive dhe shtrembëron tregun; ndërsa në Kapitullin 14 për Transportin, rrezikon të cenojë parimin e aksesit të hapur dhe menaxhimit të paanshëm të infrastrukturës.
Deputetja demokrate theksoi gjithashtu se ky projektligj bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konkretisht nenet 70 dhe 71, të cilat kërkojnë konkurrencë të lirë dhe trajtim të barabartë në treg. “Në ekonominë shqiptare është zhdukur koncepti i garës. Asetet publike po jepen njësoj si në rastin e investitorëve strategjikë – pa garë, pa transparencë dhe pa standarde,” u shpreh ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Tabaku lidhej me mungesën e një analize të qartë mbi efektet e ligjit aktual për investimet strategjike, i cili sipas saj nuk ka sjellë rezultatet e premtuara në tërheqjen e investimeve të huaja. Ajo vuri në dukje se numri i investimeve të huaja të miratuara përmes këtij ligji mbetet minimal, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e tij.
Tabaku ngriti gjithashtu çështjen e sigurisë dhe transparencës në ndërtimin dhe operimin e porteve, duke paralajmëruar për rrezikun që projekte të rëndësishme strategjike të kalojnë pa procedura të qarta dhe pa kontroll të duhur.
Në përfundim, ajo shprehu habinë për nxitimin me të cilin po tentohet të miratohet ky projektligj, duke e cilësuar atë si pjesë të një serie ligjesh që shmangin konkurrencën dhe dëmtojnë interesin publik. “Ky është ligji i 18-të special që kalon në Kuvend për interesa speciale, jo për interesin e shqiptarëve,” përfundoi Tabaku.
Kjo balona nuk e do zhvillimin si PD.Shkoni dhe shikoni Greqine per portet turistike dhe fitimet qe kane bizneset dhe rrjedhimisht dhe shteti.