
Deputetja demokrate Dhurata Çupi thotë se shkurtimi i një numri të madh gjykatash ka shkaktuar dëme të ndjeshme në qytetet e vogla.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ligjvënësja e djathtë nënvizon se harta gjyqësore nuk është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Ndër të tjera Çupi shkruan:
"Mati i diskriminuar edhe për gjykatën. Nuk është reformë vetëm të shkurtosh numrin e gjykatave. Reformë është t’u shërbehet njerëzve, por vendimi i fundit për të hequr Gjykatën e Matit, duke lënë vetëm atë të Peshkopisë për të gjithë qarkun, ndëshkon matjanët dhe banorët e tjerë rreth zonës. Mati, Bulqiza, Klosi duhet të shkojnë të gjithë në Peshkopi për çdo veprim me gjykatën.
Për të bërë më të qartë dëmin e shkaktuar tek banorët e Matit, në gjykatën që është hequr, depozitohen në 1 vit rreth 1500 kërkesa, civile apo penale. Për të kryer këto procedura, tani të gjithë banorët e qarkut duhet të shkojnë në Peshkopi. Për të shkuar atje, duhen 2 orë nga Mati dhe rreth 4 orë nga fshatrat e tij.
Reforma për hartën gjyqësore nuk po bëhet sipas standardeve europiane. Kriteret europiane përcaktojnë që 1 gjykatë(gjykatës), duhet t’i shërbejë një popullsie prej 10 mijë banorësh, nisur dhe nga numri i çështjeve që paraqesin. Mati i plotëson këto kritere, por padrejtësia ndaj banorëve të tij tejkalon çdo kriter.
Për më tepër, në Mat ndodhet edhe burgu. 80 % e kapacitetit të tij është i sigurisë së lartë dhe nisur nga kërkesat e deritanishme të të burgosurve për gjykatën, transporti i tyre nga burgu në gjykatë është thuajse i përditshëm. Atëherë pse rrezikohet siguria e transportit të te burgosurve duke larguar gjykatën 2 orë nga Mati?
Vendimi është i papranueshëm për banorët e Matit dhe ai duhet rishikuar në interes të banorëve të të gjithë qarkut të Dibrës!", shkruan Çupi.
Lini një Përgjigje