Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Newsline” në ABC News, ka komentuar dy zhvillime kryesore që po dominojnë aktualitetin në vend: situatën e rëndë të zjarreve dhe vendimin e gjykatës për të lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta.
Sa i përket çështjes “Meta”, Minxhozi u shpreh se vendimi ishte i pritshëm, duke theksuar se ndaj tij ka akuza për korrupsion.
“Absolutisht që po, është dukur një trend, sistemi i drejtësisë krijon edhe pritshmëritë e veta. Në dosje ka akuza për korrupsion. Meta hynte te ajo tipologji politikanësh që po goditet dhe do goditet fort, e prisja vendimin. Në një fazë kur hetimet kanë mbaruar dhe dosja është në gjykatë, besoj se do të ishte më njerëzore të kishte masa më çliruese.”, tha ai, duke shtuar se mund të ishte marrë një masë sigurie më e lehtë, pasi hetimet kanë përfunduar.
Nga ana tjetër, Minxhozi e cilësoi kritike situatën e zjarreve në vend, duke apeluar për rritje të buxhetit të emergjencave civile dhe ashpërsim të masave ndaj zjarrvënësve.
“Situata aktuale nuk i ngjan atij normaliteti që kemi jetuar në verëra, dekadat e fundit. Kjo krijon situata thatësire, për përhapjen e zjarreve. Të gjitha emergjencat e kësaj forme, janë sa shtetërore, institucionale, aq edhe politike. Kemi hyrë në një botë më të ngrohtë, dhe zjarret do i kemi bashkëudhëtarë. Me krijimin e infrastrukturave dhe lëvizshmërisë, edhe problematikat rriten. Di raste në Tiranë, ku djegie barërash në Erzen, ka dalë në Pezë. Kjo është një dramë. Ne duhet të marrim masa dhe të jetojmë si shtet, që në buxhetin e emergjencave civile, nuk mund të alokojmë 56 milionë euro. Duhen më shumë para. Dëmet janë kolosale. Dëmet që sot po i ndodhin masiveve pyjore, bagëtitë, pronën, por edhe jetën njerëzore që kemi të humbur, këto dëme shkojnë qindra milionë euro brenda një vere. Shteti të tregojë dhëmbët në mënyrë më rigoroze me këta njerëz.”, theksoi analisti.
Në këtë mënyrë, Minxhozi vuri në dukje se vendi po përballet paralelisht me një emergjencë mjedisore dhe një zhvillim të rëndësishëm gjyqësor, që të dyja kërkojnë përgjigje të qarta dhe të forta nga institucionet.