Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi dje një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u prit në Preshevë dhe Bujanoc nga banorët dhe drejtuesit politikë të komunave.
Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit zhvilloi takime të veçanta me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në këto takime u diskutua për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar dhe projektet që synojnë të ndihmojnë rininë.
Presidenti Begaj përcolli mesazhe për bashkëpunim, unitet politik dhe përpjekje të përbashkëta për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Kreu i Shtetit i inkurajoi liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
Këto mesazhe, Begaj i përcolli edhe gjatë fjalimit para qytetarëve në Preshevë, me rastin e çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026.
Ai garantoi mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, tha Presidenti.
Begaj rikonfirmoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është pjesë e standardeve evropiane për të drejtat dhe diversitetin kulturor.
“Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie, nuk është vetëm çështje kombëtare, është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave, është pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”, u shpreh Begaj.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti iu drejtua të rinjve të Preshevës, duke i ftuar që shqipen ta përdorin jo vetëm si gjuhë familjare, por edhe si gjuhë të dijes, profesionit, krijimtarisë dhe suksesit.
“Gjuha shqipe në këto troje është një pasuri e gjallë dhe e patjetërsueshme, është një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Gjuhën shqipe ta përdorni jo vetëm si gjuhë të familjes dhe për të ruajtur traditën, por edhe si gjuhën e dijes, të profesionit, të krijimtarisë dhe të suksesit tuaj këtu në Luginë”, tha ai.
Kreu i Shtetit u zotua se do të vazhdojë të jetë avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.
“Dua t’ju siguroj se institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë”, deklaroi Begaj.
Lini një Përgjigje