Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar SPAK-un për manipulim të qëllimshëm dhe fshehje faktesh në çështjen e lobimit të ish-LSI-së në SHBA.
Ai theksoi se Ilir Meta nuk ka pasur asnjë lidhje me kontratat dhe pagesat e kryera nga partia në kohën kur ai ishte President i Republikës dhe jo kryetar partie.
“SPAK të tregojë emrin kush i pagoi faturat nga LSI,” deklaroi prerë Blushi, duke kërkuar zbardhjen e personit konkret që ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë lobuese GSIS.
Në vijim të fjalës së tij, Blushi kujtoi se kontrata është miratuar me vendim të Kryesisë së LSI dhe është firmosur nga një zyrtar i kësaj partie, jo nga Meta.
Ai përmendi edhe faktin që, sipas SPAK-ut, ekzistojnë fatura të dërguara nga GSIS dhe të paguara nga LSI, por këto nuk përputhen me deklarimet në KQZ.
“Në rast se pretendimi që ngre SPAK-u është i vërtetë, padyshim që kemi të bëjmë me veprime të paligjshme… por ai, ajo apo ata që i kanë bërë këto vepra, janë pikërisht ata që edhe mbrohen sot qëllimisht dhe politikisht nga SPAK,” tha Blushi, duke nënvizuar se përgjegjësit nuk po përmenden sepse, sipas tij, janë kthyer tashmë në aleatë të pushtetit.
Blushi akuzoi gjithashtu SPAK-un se po bashkëpunon me media dhe gazetarë të caktuar për të shpërndarë informacione të rreme. Ai solli në vëmendje një seancë në Gjykatën Kushtetuese, ku – sipas tij – prokurori i SPAK, Bledar Maksuti, ka pranuar që “gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet ta botojnë ose jo”.
Sipas Blushit, ky pohim e shndërron SPAK-un “në kryeredaktorin e të gjithë gazetarëve” dhe përforcon bindjen e Partisë së Lirisë se ky institucion është i kapur politikisht dhe po përdoret për të sulmuar Ilir Metën.
Vetem kete bolen kam pare te dashuruar me dashnorin e gruas, fundi i botes shume afer