
Nga Rajmonda Basha
Viti 2022 ishte dinamik në membranën e ndodhive që përfshinë forcat politike të vendit.
Përpos zhvillimeve të përgjithshme në rrafshin kombëtar dhe më larg se kaq, vetë partitë më të mëdha politike, kanë pasur jo pak zhvillime.
Partia Demokratike ka dominuar skenën politike shqiptare me ngjarje të pazakonta në historinë e pluralizmit në Shqipëri.
Gjatë këtij viti, në PD ndodhi shumëçka që nuk pritej, si zgjatje e ndodhive të vitit paraardhës.
Ishte 9 shtatori i vitit 2021 që shënoi krisjen e vërtetë mes demokratëve. Një vendim i ish-liderit të PD-së, Lulzim Basha solli ndarjen e tyre.
Ai përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar, vetëm një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re.
Shpallja e Berishës, më 19 maj të atij viti, si persona non-grata nga SHBA-të solli dhe marrjen e kësaj mase nga Basha.
Si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 zhbëri të gjitha vendimet e Bashës dhe nxori Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit. Ndërsa ai i 30 prillit njoftoi dhe datën për kreun e ri të demokratëve.
Kjo pasi më 21 mars, pas humbjes së zgjedhjeve vendore të 6 marsit përballë socialistëve si dhe kërkesave të disa prej deputetëve, Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Sipas statutit, posti i kalonte një prej nënkryetarëve.
Vakancën e krijuar e plotësoi deputeti Enkelejd Alibeaj duke drejtuar partinë deri në emërimin e kryetarit të ri.
Një muaj më pas thuajse, shumëçka ka ndryshuar tek të djathtët.
Sali Berisha, kërkoi një rikthim të tijin në karrigen më të lartë brenda strukturës. Nga ana tjetër, kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, kërkoi të bashkojë dy fraksionet e PD-së në një dhe të zhvillojë zgjedhje të brendshme në parti.
Për rrjedhojë PD-ja ishte e ndarë në dy grupime politike: Grupi i Rithemelimit dhe grupi i PD-së zyrtare – pasi pritet një vendim i Apelit rreth njohjes së ndryshimeve statutore të 11 dhjetorit.
Mirëpo, më 25 mars Gjykata e Tiranës i dha të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, me ndryshimet statutore që janë kryer gjatë punimeve.
Alibeaj – të cilin Rithemelimi nuk e njeh dhe e ka shkarkuar nga kryetar i Grupit Parlamentar – ka ankimuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e ndryshimeve statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit.
Konkretisht kjo çështje është në Gjykatën e Apelit të Tiranës, akoma pa vendim, pasi e ka pranuar ankimin e Alibeajt.
Dhe pikërisht, më 22 maj Sali Berisha u shpall bindshëm fitues në garën për kreun e ri të PD-së më një kundërshtar të vetëm: Ibsen Elezin.
Me të ardhur në krye Berisha premtoi hapje të partisë dhe rikthim të vlerave.
Edhe me kryetarin e ri, PD mbeti e ndarë. Me caktimin e 14 majit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, dy grupimet brenda PD-së bënë përpjekje për bashkim, duke përcaktuar edhe “nikoqirët e bisedimeve”.
Gazment Bardhi dhe Edi Paloka – pavarësisht përpjekjeve – nuk e gjetën konsensusin për të dalë me një kandidat të vetëm.
Kështu, pas kushteve të vendosura nga secili, konsensusi nuk u realizua.
Pas kësaj Alibeaj mblodhi kryesinë në cilësinë e kryetarit, ndërsa Berisha shpalli datën e primareve, ku sipas parimit një anëtar, një votë u zgjodhën edhe kandidatët për 61 bashkitë.
Në zgjedhje pati edhe balotazh, ku vlen të theksohet Bashkia Tiranë. Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, përmes kompromisit vendosën që stafeta për të garuar përballë kryebashkiakut aktual socialist, t’i mbetet Këlliçit.
Programet e ndryshme në një parti të vetme, u reflektuan edhe në drekën e mbylljes së vitit 2022. Alibeaj dhe disa deputetë të grupimit të tij, refuzuan sërish. Nuk iu bashkuan tavolinës së përbashkët.
2022-i i PS-së
Dhe për t’i lënë radhën Partisë Socialiste, si forca më e madhe në Shqipëri, por si partia me pak ndodhi për këtë vit.
Momenti më kyç i socialistëve ishte mbajtja e Kongresit. I lajmëruar që në janar të 2022, Partia Socialiste (PS) të shtunën e 9 prillit zhvilloi punimet.
I konceptuar ndryshe, i ndarë në dysh, pjesë e Kongresit ishin edhe grupet e interesit.
Fillimisht ai u zhvillua në pesë panele të hapura diskutimi, në varësi të sektorëve për t’i lënë radhën fjalës së figurave me zë në PS, nga kryeministri Edi Rama.
Përpos kësaj, fokusi i vëmendjes u drejtua te delegatët socialistë. Ata miratuan ndryshimet në statutin e kësaj Partie.
Një muaj më vonë, forca më e madhe politike në vend hapi aplikimet për kryetarë dege të cilët u zgjodhën.
Në “historinë” e tyre të këtij 1-vjeçari, socialistët zgjodhën edhe presidentin e vendit.
Pavarësisht indicieve me propozimet e tjera nga opozita, palët ranë dakord “për të mos u marr vesh”.
Në raundin e katërt, socialistët shkuan të vetëm në mundësinë e zgjedhjes. Më 3 qershor, emri i përzgjedhur do të jetë ai i gjeneralit Bajram Begaj.
Të nesërmen mbledhja e grupit parlamentar socialist zyrtarizoi kandidaturën e Begajt i cili, edhe pse mungonte pjesa më e madhe e opozitës në sallën e parlamentit, arriti të siguronte 78 vota pro – 4 kundër.
LSI ndryshe PL
Në dinamikën e ngjarjeve në Shqipëri, rol të rëndësishëm ka zënë edhe Lëvizja Socialsite për Integrim, tashmë e njohur si Partia e Lirisë.
Ishte 25 korriku i 2022, kur kjo forcë politike nisi konventën e saj të pestë që nga formimi si forcë politike në vitin 2004 duke ndryshuar emrin nga “Lëvizja Socialiste për Integrim” në “Partia e Lirisë”.
Ky vendim erdhi pas dorëheqjes së kryetares Monika Kryemadhi, e pasur me lëvizjen e radhës.
Pas ndryshimit te emrit nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Partia e Lirisë, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force, Endrit Braimllari, propozoi Ilir Metën si kryetar të përkohshëm deri në zgjedhjen e një lideri në ri.
Konventa Kombëtare, ndër të tjera formoi edhe një strukturë të re të partisë, e cila tani është me në krye ish-Presidentin Ilir Meta.
Braimllari i propozoi Konventës Kombëtare krijimin e Komitetit Organizator, të cilët do të kenë detyrë të drejtojnë partinë dhe ta përfaqësojnë atë në të gjitha nivelet.
Si drejtues i Komitetit Organizator u zgjodh ish-lideri i LSI-së Ilir Meta, dhe zëvendëskryetar Agim Nesho.
Pas kryetarit të ri, logos dhe regjistrimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy muaj më pas u mblodh anëtarësia e kësaj force politike.
Fillimisht, në punimet e konventës u miratuan ndryshimet statutore ku ra në sy përfshirja në rezolutë e “referendumit”, që mbahet nëse e kërkojnë 5 mijë anëtarë.
Dhe ashtu siç pritej, Ilir Meta, u zgjodh zyrtarisht në krye të Partisë së Lirisë, të cilën ish-presidenti e dorëzoi me 20 deputetë dhe e gjeti me katër.
Ai arriti të merrte plot 719 vota nga 722 delegatët e pranishëm.
Në Konventën Kombëtare të Partisë u zgjodhën edhe 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar.
“Garë reale dhe jo fiktive”, ishin fjalët e tij në nisje të Konventës.
Mesa duket për Metën, zgjedhjet pa rivalë janë një garë reale dhe tregues i fortë i besimit ndaj lidershipit të tij të munguar.
Në pak kohë disa ndryshime. Por, jo kaq. Meta konfirmoi edhe ndryshimin me aleatët. Konkretisht, konfirmoi aleancën me kryetarin e Parisë Demokratike, Sali Berisha, nëpërmjet një koalicioni, ku të dy së bashku u përbetuan për aksion opozitar.
Së bashku mbajtën disa protesta. E duket se nga ish-kryeministri, Meta ka mësuar shumë: pasi Berisha solli foltoret, kongreset dhe kuvendet e njëpasnjëshme.
Kështu cikli 1-vjeçar u përmbyll për t’i lënë radhën një viti tjetër, mbase më shumë dinamik se ky i fundit…
Lini një Përgjigje