U dënua me 2.8 vite burg, ish-kryebashkiaku i Lezhës nga arratia dërgon rekurs në Gjykatën e Lartë

7 Janar 2025, 10:55Kronika TEMA
U dënua me 2.8 vite burg, ish-kryebashkiaku i Lezhës nga arratia

Ish kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, nga arratia ka dërguar në Gjykatën e Lartë kërkesën për pezullimin e dënimit dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit e cila më 23 dhjetor 2024 dyfishoi dënimin në 2 vite e 8 muaj burg.

Frrokaj është dënuar me 2.8 vite burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas një vendimi të dyfishuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar ish-kryebashkiakun me 1.4 vite burg. Sipas akuzës, gjatë kohës kur shërbente si kryetar i Komunës Shënkoll, ai së bashku me ish-zyrtarë të tjerë favorizuan regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.

Frrokaj gjithashtu është dënuar më parë nga Gjykata e Shkodrës me 2 vite burg për një çështje të ngjashme që lidhej me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Megjithatë, ai u lirua nga qelia falë përfitimit nga amnistia penale.

Pas marrjes së urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata e Apelit, Policia ka kryer disa kontrolle në banesën e Frrokajt, por ai nuk është gjetur. Ish-zyrtari i lartë tashmë konsiderohet në kërkim.

Lini një Përgjigje